Monedhat ilire, mineralet e “Trepçës” dhe lufta e 1999-s

Ditë më parë në galerinë private “Monet” në kryeqytet u hap ekspozita personale e artistit Sali Shkupolli, “Arkeologjia dhe monedhat ilire”.

Në versionin e tij ai sjell monedhat ilire të cilat datojnë nga shek. IV para erës sonë e deri në mesin e shek. III para erës sonë. Punimet përmbajnë monedha mollose nga bronzi të tipave mburojë-rrufe dhe pallas-shqiponjë, të prera para vitit 342 para erës sonë, shkruan sot Koha Ditore.

Ka edhe imazhe monedhash të qytetit të Epirit Eleia e tipit pegaz-tredhëmbësh e prerë para v. 340 p.e. sonë, monedha kopje të Korinthit një tri drahme e tipit Athina-Pegaz dhe tri drahme të tipit Aferditë­Pegaz, të prera midis v. 400-338 p.e.s. monedhe të Korkyrës, nga të cilët disa janë me argjend të tipit amforë-yll tetëcepash të prera para v. 300 p.e.s. monedha argjendi të Dyrrahut të tipit Herakli-Pegaz (v. 320-270 p.e. sonë), një monedhë argjendi gjysmë drahme e Istiesë së Eubesë e tipit Menade Nymfe (v. 313-265 p.e. sonë, një bronz i qytetit Neapol të Kampanjës i tipit Apollon — Dem i prerë para v. 340 p.e sonë dhe një bronz i Agathokliut te Sirakuzës, që i përket periudhës së dytë të viteve 310-307 p.e.s.

Specifikë tjetër në punimet e Shkupollit janë monedhat ku vihen re portretet e femrave me kurorë ulliri mbi kokë. Nga ato vërejmë se ato qarkulluan me prejardhje të ndryshme nga vendet e ndryshme. Vërej një monedhë prej argjendi të ngjitur në kanavacë, është figura e lopës me kokën e kthyer nga viçi që pi gjinjtë e saj. Mbi lopën është figura e një nofulle derri të egër. Në shpinën e monedhës është një fushë katrore e ndarë në dy katërkëndësha të mbushur simetrikisht me zbukurime në trajtë kokrrizash e bishtash, e gjitha e rrethuar zakonisht nga një kornizë. Mbi dy nga brinjët e kornizës është emri i mbretit në rasën gjinore. Por jemi gjithmonë në fushën e mitologjisë. Pastaj, kemi viçin i cili thith gji nga lopa.

Kur Monuni e pushtoi Dyrrahun, ai vendosi si heraldikë triumfuese pikërisht nofullën e derrit të egër mbi simbolin e mëparshëm të monedhës me lopë dhe viç. Një alternativë e tillë shpjegimi është plotësisht e mundshme. Kjo do të përbënte një invers të vetë mitit të Meleagrit. Këto janë dy shpjegimet e hapura për diskutim.

Në faqen e prapme të monedhave bëhet fjalë për simbole ende të pazbërthyera. Kemi edhe zbukurimet gjeometrike brenda kornizës që përfaqësojnë Kopshtin e Alkinoit, kurse disa të tjerë dy yje, që lidhen me heronjtë binjakë Dioskurë. Këtyre miteve u duhet shtuar edhe miti i kryehershëm i themelimit legjendar të Dyrrahut prej heroit Herkul. Skalitja e armëve të Herkulit flet për këtë. Kurse figura e zogut Kurillë mbetet ende e pashpjegueshme jo vetëm në monedhat e Shkupolit, por edhe në literaturë. Në monedhat e Monunit gjejmë historinë e tij të pashkruar, triumfin e tij shtetëror, novacionin që për herë të parë një mbret ilir pret monedha autonome, si dhe një gjuhë figurative të pasur dhe plot imagjinatë të strukturave të disa miteve të mëdha antike.

Leave a Comment

Your email address will not be published.