Aktivisti politik dhe i të drejtave të shqiptarëve nga Medvegja, Muharrem Salihu, në një letër drejtuar përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Miroslav Lajçak, teksa ky i fundit ndodhet në një vizitë dy ditore në Kosovë.
Në letër ai hedh disa propozime që sipas tij do të zgjidhnin situatën në Kosovë. Mes këtytre propozimeve ai parashtron përfshirjen e statusit të shqiptarëve në Serbi, si pjesë e dialogut, krijimin e një Rajoni me statut special që do të përfshinte 3 komuna dhe vendosjen në këto zona të një legjislacioni unik tatimor e zhvillimor europian.
I nderuar shkëlqesi,
Ju keni memorie historike personale nga konfliktet e përgjakshme në Ballkan. Ju keni gjurmën e kontributit tuaj diplomatik në shumë prej tyre. Për fat të mirë, edhe falë kontributit tuaj personal në dekadat e fundit, nuk jemi në kushtet e luftës.
Mirpo që të parandalojmë luftërat e ardhshme, duhet të shërojmë plagët e së shkuarës,edhe metastazat e konfliktit ndëretnik që ngjajnë larg vatrës që ndërmjetsoni ju në Bruksel, duke mos përsëritur gabimet e Dejtonit. Kryeministri Kurti, është përpjekur të ofrojë burime akademike për rrënjët e tij, me librat që ju dhuroi në Bruksel, por mbase ju nuk keni kohë të shkoni aq larg në kohë, në 1878 e largët, kur u spastruan muhaxhirët e dikurshëm. Ndaj unë, ju ftoj të lexoni raportin e fundit, me faktet të ndërlidhura në hartën mnemonike që ju e dispononi si rrallëkush diplomat në Europë. Ky raport është më aktual. Pamjet që ofron ajo, janë shpesh tragjike si e tregon rasti i bashkëfshatarit tim Zeqir Sinanovič.
Ndaj ju ftoj të reflektoni për zgjidhjen që ju po gatuani:
a do jetë ajo gjithëpërfshirëse?
A do të afrojë standarte të njëjta të trajtimit komuniteteve në mbarë vatrat e konfliktit në Ballkan, apo një miriadë zgjidhjesh ad hoc, që nën peshën e variablave gjeopolitike, nevojave për sukses imediat, afatshkurtër, nuk do t’i rezistojnë kohës dhe do prodhojnë konflikte të reja?
Ju vetë keni mësuar shumë nga Marrëveshja e Dejtonit, e cila nuk ishte zgjidhje perfekte, por duhej të merrte parasysh veç tjerash, edhe raportin e forcave ndërluftuese në terren, e që sot krijon probleme të reja.
Sot nuk ka luftë fatmirësisht dhe gjithçka duket më e lehtë. Ju njihni Bosnjën, njihni Kosovën, Serbinë, etj, por ndërkohë modestisht me vetëdijen e ndërmarrësit europian, dhe patriotit modern, dua t’ju sugjeroj disa skenarë zgjidhës. Nuk di a do ta pranoni metrin e reciprocitetit, si metri më i mirë për të zgjidhur konfliktin Kosovë-Serbi, sepse me gjasë, atij metri i ndërlidhen argumenta të tjerë.
Unë dua të besoj në fuqinë e ekonomisë.
Jo si zgjidhje unike, por si pjesë e zgjidhjes.
Ekonomia e imponon reciprocitetin, pajtimin ndëretnik, ekzalton suksesin e individit, shëron plagët e së shkuarës.
Sepse unë, AFEDS, si organizatë e shoqërisë civile që nxit investimet në Jug të Serbisë, duam ta ndryshojmë gjendjen ekzistuese. Brenda saj, ekskluziviteti ekonomik, i frymëzuar nga ekskluziviteti etnik, domethënë përpjekja e komunitetit tjetër, atij serb, e shtetit serb, për të kontrolluar burimet natyrore, minerare, ujore, ekonomike, ndërkufitare duke përzënë shqiptarët, ka prodhuar një pjesë të madhe të problemeve në terren. Ky farë ekskluziviteti- që ndonjëherë mban emrin paradoksal- bota serbe, ka prodhuar tragjedi individuale si ajo e Zeqir Sinanovičit, bashkëfshatarit tim dhe e mijëra shqiptarëve që ndalohen në kufijtë e Ballkanit të kthehen në vatrat e tyre.
Cilat janë këto probleme jo vetëm ekonomike që duhet të adresohen?
Privatizim i pabarabartë pa akses për ne shqiptarët; ngrirje e zhvillimit të minierave dhe pasurive të tjera; mungesë shkollimi adeguat në të gjithë nivelet; bllokim i njohjes së diplomave;, bllokim të kalimeve kufitare për të ngrirë shkëmbimet njerëzore si midis dy Koreve, bllokim i korridoreve të mëdha europiane që do duhej të kalonin aty, dhe si pasojë mungesë pajtimi ndëretnik etj, etj.
Ndaj unë, nisur dhe nga 30 vjetët e eksperiencës suaj në Ballkan, për një realitet si yni, ku Medvegja është laboratori për teoritë e spastrimit etnik, që pastaj shtrihet në Bujanovc e Preshevë dhe në krejt Serbinë, do ju propozoja:
- Përfshirjen e statusit të shqiptarëve në Serbi, si pjesë e dialogut. Nuk di ç’mendojnë palët në dialog në lidhje me zgjerimin e tematikës për diskutim, por dhe ju keni fjalën tuaj në axhendën e tij. Parlamenti Europian gjithashtu e ka propozuar.
- Krijimin e një Rajoni me statut special që do të përfshinte 3 komuna (të rikrijuara si para vitit 1956 në ish Jugosllavi), sipas modelit italian të Friuli Venezia Giulia. Ky hap ngjan realist, po të mbani parasysh se një referendum të vitit 1992, me shumicë mbi 90% popullsia e këtyre komunave ka votuar në favor të bashkimit me Kosovën në rast të ndarjes së Jugosllavisë;
- Ose Propozimin një Zone të Lirë dy shtetëshe Europiane që do të përfshinte komunat e Malësisë së Gollakut (Gjilan, Kamenicë -KS, Banjë (e rikrijuar), Medvegjë, dhe ato të ashtuquajtura të Luginës së Preshevës -Srb)
- Ose Propozimin e një Zone të Lirë Ndërkufitare tre shtetëshe Europiane që do të përfshinte 4 komunat shqiptare në Jug të Serbisë; komunën e Kumanovës në Maqedoninë e Veriut, dhe komunat shqiptare kufitare me to.
- Vendosjen në këto zona të një legjislacioni unik tatimor e zhvillimor europian; administrimin tatimor dhe zhvillimor nga një trupë mikste ku shqiptarët, serbët dhe maqedonasit e veriut të jenë të përfaqësuar adeguatisht së bashku me administratorë perëndimorë që zgjidhen me konkurs…
Kjo zgjidhje që do bënte kufijtë e padukshëm, do të ishte më e mirë sesa situata aktuale ku qytetarët shqiptarë janë të padukshëm- si thotë Komiteti Serb i Helsinkit në raportin e tij. Unë njëjtë si ndërmarrësi Shindler në filmin e famshëm frymëzuar nga genocidi nazist mbi hebrenjtë, po ndërtoj lista shqiptarësh që duhen shpëtuar, që duhet të rikthehen në vatrat e tyre, por duhet makrozgjidhje. Dhe ju që keni kundërshtuar rishikimin e kufijve, besoj do gjeni diçka të arsyeshme këtu.
Unë nuk kam pretendimin t’ju ofroj zgjidhje të plota.
Unë dua të rris ndjeshmërinë tuaj dhe të vendimmarrësve europianë për fatin e popullit tim.
Ne vërtet nuk kemi luftë në trojet tona dhe CNN apo Euronews janë të pranishme kudo, krejt ndryshe nga genocidet dhe spastrimet e tjera etnike në Ballkan përgjatë historisë. Mirpo mu pse spastrimi ynë etnik është kaq açik, situata është dramatike dhe kërkon zgjidhje. Ndaj unë dua thjesht t’a nxis vizionin tuaj, me respektin për ekspertizën që ju keni krijuar në Ballkan, i bindur në nevojën që zgjidhje si këto që mund të adaptohen në rajonin tonë, të shërbejnë dhe gjetiu në botë. Kësisoj në një nga pikat e Europës Juglindore, me mineralet më të rralla, me ujërat nën dhe mbitokësorë me temperatura të larta, me industri druri, do të injektohen investime euroamerikane. Këto investime do të shndërronin trevat tona- nga më të varfërat e Serbisë, subjekt i një emigracioni tragjik, në më të pasurat në Ballkan.
Sinqerisht juaji
Muharrem Salihu