Shkruan: Bardhyl Mahmuti
Zgjedhja e shkrimtarit austriak, PeterHandke, si fitues i çmimit “Nobel” në letërsi për vitin 2019 ka sjellë reagime të shumta, për shkak të mbështetjes së madhe që ky autor i ka dhënë politikës së gjenocidit,që u zbatua nga serbët në Bosnjë dhe në Kosovë.
Reagime të tilla vijnë si rezultat i mosnjohjes së degradimit që ka pësuar Akademia Suedeze e ndarjes së çmimeve “Nobel”. Skandalet seksuale dhe keqpërdorimet financiare kanë bërë që ky institucion të humbë besueshmërinë e intelektualëve të mirëfilltë.
Ndarja e këtij çmimi për letërsinë për vitin 2018 u pezullua, për shkak të publikimit të “skandalit seksual tëJean-ClaudeArnault”, njërit nga njerëzit më me ndikim në qarqet artistike suedeze. Nëpërmjet gruas së vet, KatarinaFrostenson,anëtare e Akademisë Suedeze,Jean-ClaudeArnault ka ushtruar ndikimin e tij në këtë akademi. Në fund të vitit 2017 u bënë publike akuzat e 18 femrave ndaj të cilave Jean-ClaudeArnault ka ushtruar ngacmime dhe dhunë seksuale, në një apartament që ishte pronë e kësaj akademie.
Si reagim ndaj kësaj dukurie që ka kapluar Akademinë Suedeze, qindra intelektualë suedezë janë bashkuar rreth “Akademisë së Re”, që ka për qëllim të krijojë një çmim të ri për letërsinë, të zhveshur nga logjika e privilegjeve, e konflikteve të interesit, e arrogancës, e diskriminimit gjinor dhe e prostitucionit.
E shoh të udhës, që në këtë kontekst, të sqaroj këtu përdorimin e fjalës “prostitucion”. Fjala “prostitucion”, me origjinë nga fjala latine “prostituere” (“pro” – përpara dhe “statuerte” -vendos), në kuptimin etimologjik do të thotë “të nxjerrësh në pah”. Mirëpo në aspektin semantik, kjo fjalë ka marrë kuptimin e “përdorimit të pandershëm të diçkaje”, “çnderimin e një gjëje, nëpërmjet përdorimit të pandershëm të saj”.
T’i japësh çmimin “Nobel” një autori që mbështet gjenocidin, nuk është gjë tjetër, pos edhe një shembull i prostitucionit të Akademisë Suedeze, në kuptimin e përdorimit të pandershëm të këtij çmimi!
Të shpresojmë që “Akademia e Re Suedeze” do të gjejë mbështetjen e nevojshme për t’i kthyer këtij çmimi prestigjioz nderin e humbur.