Ndërkombëtarët pritet të trondisin pozitat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Qeveria në Beograd është alarmuar për takimin që liderët e të gjitha shteteve evropiane përveç Bjellorusisë dhe Rusisë të cilët mblidhen sot dhe nesër në Pragë të Çekisë për të diskutuar për luftën në Ukrainë dhe për implikimet e saj në fusha të ndryshme të politikave.
Goditja e parë për Vuçiç nga Praga, erdhi pasi Kosova do të prezantohet në takimin e liderëve të të gjitha shteteve evropiane si shtet i pavarur, pra me fusnotë, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Presidentja Vjosa Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në takimin e Komunitetit Politik Evropian, iniciativë e nisur nga presidenti francez Emmanuel Macron, ndërsa Kosova paraqitet me fusnotë si pjesëmarrëse në takim dhe në faqen zyrtare të Këshillit Evropian. Nga ana tjetër, kryeministrja serbe Brnabiç ka thënë se Vuçiç do të përjetojë presion të madh. “Në Pragë, ai me siguri do të jetë nën sulm brutal dhe breshëri zjarri, ai do të jetë i ekspozuar ndaj pyetjeve, pse nuk vendosëm sanksione, pse jemi të vetmit, cila është politika jonë e jashtme”, tha Brnabiç dhe theksoi se ajo do të të mos jetë në këpucët e presidentit. Ajo shtoi se nëse Serbia është i vetmi vend që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, atëherë presidenti Vuçiç nuk do të jetë një nga 27 liderët atje, por i vetëm kundër 40 prej tyre.
Serbia “merr” shembull Shqipërinë
Brnabiç shtoi se në samit do të shtrohet edhe çështja nëse qëndrimet e Serbisë janë në përputhje me vlerat evropiane. “Për çfarë vlerash evropiane po flasim vetëm nëse shohim premtimet e tyre ndaj Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë”, pyeti ajo veten. Sipas Brnabiçit, ai do të përdorë gjithçka për sulme brutale ndaj Serbisë, por, siç theksoi ajo, për fat Vuçiç gëzon respektin e madh të liderëve evropianë. “Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është gjithmonë aty për ne, për të na dëgjuar, tha Brnabi?. Ajo kujtoi se në Japoni pati rastin të fliste me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili i tha se e kupton që është e vështirë, por të lutet që presidenti Vuçiç të jetë në Pragë, sepse askush nuk mbron dhe shpjegon qëndrimin e Serbisë aq mirë. Michel theksoi se ata duan që rruga evropiane e Serbisë të vazhdojë, por se për ta është e rëndësishme që Vuçiç të jetë në Samit dhe të shpjegojë politikën e jashtme sepse është diçka që të gjithë po e ndjekin. Ajo shtoi se prezantimi i presidentit është domethënës sepse atëherë është më e lehtë për miqtë e Serbisë në BE të mbrojnë pozicionin e Serbisë.
Serbinë e presin takime të vështira
Sipas saj, takimet do të jenë jashtëzakonisht të vështira. “Nuk isha në këpucët e tij, ndonjëherë ndihesh si dele e zezë, duhet shumë përkushtim mendor dhe energji për të mbrojtur pozicionet e Serbisë, për të thënë gjithçka dhe për të mos u dorëzuar nën presion, për të ruajtur pavarësinë vendimmarrëse”, tha Brnabiç. Ajo tha se fuqitë e mëdha kanë filluar të zbatojnë në mënyrë selektive të drejtën ndërkombëtare dhe ta interpretojnë atë si të duan. “Në kontinentin evropian, Karta e OKB-së u thye në shtyllën kurrizore të Serbisë”, kujtoi ajo dhe shtoi se agresioni i NATO-s ndaj Serbisë është i pastër si loti dhe se çdo justifikim që ata gjejnë si justifikim flet për zbatimin selektiv të ligjit ndërkombëtar.
Detajet nga takimi në Pragë
Nga takimi i Pragës nuk do të ketë deklaratë përfundimtare dhe as ndonjë deklaratë të shkruar në fund të takimit. Sipas burimeve nga Brukseli, për të shmangur mospajtimet e mundshme lidhur me formulimet për tekstin përfundimtar. Rezultat i takimit megjithatë sipas diplomatëve në Bruksel është të ulen në një tryezë “të gjithë liderët evropianë në pozitë të barabartë në frymën e unitetit për të nxitur dialogun politik për çështjet e interesit të përbashkët”. Forumi i Pragës shihet me rëndësi nga presidenti fracez, Emmanuel Macron, ideator i Bashkësisë Politike Evropian.