Në Maqedoni ende në përdorim tekstet shkollore që fyejnë shqiptarët

Nxënësit në Maqedoni të vitit të dytë në arsimin e mesëm nga libri i Sociologjisë mësojnë se shqiptarët, turqit e romët lindin shumë fëmijë, pasi siç thuhet një përqindje shumë e madhe e kësaj popullsie nuk është e arsimuar, nuk kanë kontroll të lindjeve andaj edhe përqindja e natalitetit të tyre është shumë më e lartë në raport me maqedonasit

 

Prandaj, në këtë njësi mësimore theksohet nevoja e marrjes së masave për të kthyer natalitetin në suaza normale apo të stimulohet nataliteti te maqedonasit, meqë siç thuhet, shpërpjesëtimi me grupet tjera etnike ka pasoja negative në planin politik, ekonomik dhe social.

Përmbajtje të tilla fyese, me shtrembërime historike, me gabime gjuhësore e përmbajtjesore, ka në shumë libra shkollor në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut. Ato janë denoncuar në vazhdimësi në media, por institucionet, përkatësisht Ministria e Arsimit, përveç premtimeve për evitimin e gabimeve të tilla, deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete. Libri i Sociologjisë, me përmbajtje të tillë, është në përdorim që nga viti 2002.

Nga Ministria e Arsimit, e cila drejtohet nga Milla Carevska, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se “gabimet do të përmirësohen në kudër të planit për reformën e plotë të sistemit arsimor, që parasheh sigurimin e teksteve cilësore në arsimin fillor dhe të mesëm”. Pjesë nga libri i Sociologjisë me të cilën mësojnë nxënësit e vitit të dytë në shkollat e mesme në Maqedoninë e Veriut, ku flitet për shqiptarët.

“Unë kam mbajtur mësim me nxënësit, por atyre ua kam sqaruar se ka shtrembërim të fakteve dhe për këtë dëshmitarë janë vetë nxënësit. Unë shumë kam qenë i emocionuar dhe i prekur nga ajo që përmban ky libër dhe sa herë që mbërrij në këtë njësi mësimore, mundohem t’ua sqaroj nxënësve, t’i ndërgjegjësojë ata apo t’ua sqaroj se çfarë mendojnë qarqet akademike maqedonase për shqiptarët”, thotë Aliu. Xheladin Murati, profesor i Pedagogjisë thotë se kjo që ndodh me tekstet shkollore është kulmi i fyerjeve që i bëhen shqiptarëve, ndërsa përgjegjësinë thotë se fillimisht duhet kërkuar te shërbimi pedagogjik, autorët, recensentët, përkthyesit dhe lektorët e më pas edhe te Ministria e Arsimit.

“Ministria e Arsimit bartë përgjegjësi, por përgjegjësia më e madhe bie mbi shërbimin pedagogjik që merret me botimin e teksteve. Dhe, kjo nënkupton se ministri nuk i lexon librat, por ai duhet të informohet nga shërbimet pedagogjike. Pra, kompleksi është më i gjerë sepse përgjegjësia për gabimet, ato historike, kombëtare, për çështjet sociale, për aspektet gjuhësore të tekstit, për përkthimin me gabime të tekstit.. në radhë të parë fajtorë janë autorët, pastaj recensentët të cilët e kanë lejuar përdorimin e tij me të gjitha të metat që i posedon”, thotë Murati./REL

Leave a Comment

Your email address will not be published.