Sot (e mërkurë) Drenica priti një karvan të gjatë njerëzish që kishin ardhur t’i nderojnë dëshmorët dhe të gjithë të rënët për liri, që nga lufta e Shaban Polluzhës, e deri te përpjekja titanike e famljes Jashari, në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari. Pjesë e pandarë e këtyre përpjekjeve ishte edhe sakrifica dhe heroizmi i luftëtarëve të rënë në betejat e luftës së fundit kundër okupatorit serb.
Për të nderuar të gjithë këta luftëtarë, sot në kompleksin memorial të varrezave të dëshmorëve në fshatin Marinë të Skenderajt u organizua një homazh dhe u vendosën lule të freskëta mbi varret e dëshmorëve.
Të pranishëm në këtë homazh ishin kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, Skender Asani, drejtor i ITSHKSH në Shkup, Jahja Lluka, kryetari i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur, studiuesi Mehmet Prishtina dhe shumë veprimtarë e personalitete nga Drenica dhe hapësira shqiptare.
Kryetari Bekim Jashari tha se nderi që po i bëhet të rënëve për liri, është jo vetëm obligim moral e institucional ndaj tyre, por edhe një ndërgjegjësim për rrugën nga duhet të shkojë Kosova, e cila, siç tha ai, duhet të jetë unifikuese në qëndrime e synime, sepse kjo ka qenë edhe kauza e dëshmorëve tanë.
Pjesë e aktiviteteve të sotme ishte edhe nderimi i të rënëve për liri që u bë në varrezat e fshatit Polac, ku gjithashtu u organizua një homazh, me vendosje të luleve të freskëta mbi varret e martirëve tanë.
Me këtë rast Bashkësia lokale e fshatit Polac – Morinë-Kryeshevc-Dashec, iu ndau mirënjohje të rënëve për liri në luftën e fundit të UÇK-së 1998/99 si dhe kontribuesve të çështjes kombëtare të Brigadës “Shaban Polluzha”.
Aktivitetet e sotme ishin hapje e agjendës për shënimin e 100-vjetorit të Hasan Prishtinës – Kryeministër i Shqipërisë.
Ky ishte një rast i mirë të përkujtojmë të gjithë dëshmoret e luftërave tona për liri, komandantët legjendarë Adem Jashari, Shaban Polluzha, dhe sidomos figurën emblematike të Hasan Prishtinës, i cili vazhdon të jetë burim frymëzimi për gjeneratat në përpjekjet për shtetndërtim dhe status dinjitoz të shqiptarëve kudo që janë.
Me këtë rast Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH në Shkup rikujtoi se kolosi ynë Hasan Prishtina rridhte nga Drenica, por ai tash më është bërë pjesë e pandarë e gjithë qenies shqiptare, sepse ai kudo që veproi mbolli farën e shqiptarizmës dhe uniteti kombëtar. Sipas Dr. Asanit, ky angazhim i Hasan Prishtinës ishte konkret dhe pjesëe doktrinës së tij kombëtare dhe kjo mund të shihet më së miri në këmbënguljen e tij që Shkupin ta bëjë kryeqendër të Shqipërisë etnike. Lidhja e Hasan Prishtinës me Shkupin, tha Dr. Asani, kishte qenë një lidhje që shpërfaqte kauzën madhore të dëshmisë historike mbi kontunuitetin e pandërprerë iliro-arbëro-shqiptar në këto treva ku gjaku për liri i dëshmorëve dhe i gjithë martirëve kishte qenë edhe harta etnike e bashkimit kombëtar për të cilin ishte angazhuar Hasan Prishtina.
Pas Polacit, aktivitetet për shënimin e 100 vjetorit të të Hasan Prishtinës – Kryeministër i Shqipërisë, do të vazhdojnë në Bllace, me 10 prill, ku do të përurohet “Muri i Kujtesës” dhe Parku “Hasan Prishtina”!