Në Prishtinë po mbahet seminari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Ka filluar në Prishtinë Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“. Seminari i 102-të i Ansamblesë dë Përgjithshme të NATO-s organizohet në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane e të Qendrës së Gjenevës për Qeverisje të Sektorit të Sigurisë. Qëllimi kryesor i Seminareve Rose-Roth është lehtësimi i dialogut që lidhet me çështjet e sigurisë rajonale, në mesin e ligjvënësve të NATO-s dhe vendeve partnere.

Sot (e diel) në Prishtinë vazhdoi seminari punimet në ditën e dytë me adresimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se shoqëria njerëzore sot është duke u sfiduar nga idetë e vjtetra por jo të harruara të fashizmit.

“Në këtë mjedis bashkëkohor të sigurisë vlera njerëzore dhe shoqëria njerëzore është duke u sfiduar nga rilindja e ideve të vjetra por jo të harruara të fashizmit, politika hexhoministe dhe ekspacioniste e Rusisë, tendencat ruse për hexhemoni globale”, ka thënë Kruti.

Ai po ashtu tha se edhe kërcënimet ushtarake të Koresë së Veriut për lindjen e largët, janë indikatorët më të mirë për të treguar se sa serioze dhe delikate është situata e sigurisë.

Kurti ka shtuar se NATO-ja, si organizatë që është përgjegjëse për të promovuar vlerat demokratike, për të ndërtuar besimin, vazhdon të mbetet një aleancë e vendeve që synojnë që të mirëmbajnë poaqen dhe stabilitetin në nivel global.

“NATO është e vetmja aleancë politike dhe ushtarake që synon të ruajë të arriturat e shoqërisë njerëzore dhe vlerat demokratike”, ka shtuar ai.

Gjatë ditës në një prej paneleve ka marrë pjesë  edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Ajo në fjalën e saj  vlerësoi se Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së, teksa thekson se lufta në Ukrainë është test për Kosovën dhe Perëndimin.

Ministrja Gëvalla është shprehur e ashpër me BE-në, duke thënë se Europa s’i ka kërkuar Serbisë që t’i përmbushë detyrimet e saj nga marrëveshjet e nënshkruara dhe s’ka vepruar ndaj lidhjeve të Serbisë me Rusinë.

“Nëse njëra palë në tavolinë i jep shuplakë partnerëve në Perëndim dhe rreshtohet kah një kriminel lufte, atëherë duhet të bëhet pyetja çka tash. Çka i thotë kjo Vuçiqit dhe Putinit. Çka thotë kjo në sytë e Perëndimit”, është shprehur Gërvalla.

Edhe Presidentja Vjosa Osmani ka marrë pjesë në seminarin e 102-të të Ansamblesë të Përgjithshme të NATO-s.

Osmani në këtë seminar ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për forcimin e sundimit të rendit e ligjit, integrimin në BE dhe në strukturat veriatlantike.

Presidentja Osmani shtoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
“Në raport me rrezikun ndaj arkitekturës së sigurisë në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë dhe implikimet e këtyre zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Presidentja Osmani ka potencuar se integrimi euroatlantik i Ballkanit Perëndimor është një interes strategjik evropian për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Sipas saj, shumica e vendeve të rajonit, përveç Serbisë, janë të përkushtuara ndaj vlerave të përbashkëta demokratike euroatlantike dhe sigurisë kolektive”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

Në fjalim e saj, presidentja Osmani ka shtuar se Kosova e ka të qartë qëllimin për të qenë anëtare e NATO-s, derisa paradoksi është që Serbia prej 15 vjetësh është anëtare në PFP, porse refuzon t`i bashkohet aleancës ushtarake më të madhe në botë dhe në të njëjtën kohë mbanë marrëdhënie të fuqishme me Rusinë.

Në hapje të këtij seminari, Presidentja Osmani ka bashkëbiseduar me pjesëmarrës nga shtetet anëtare të NATO-s dhe shtete tjera partnere për çështjetë shumta me rëndësi në Evropë dhe rajon, që ndërlidhen me bashkëpuimin me NATO-n, sulmet kibernetike, kampanjat e dezinformimit të sponzorizuara nga Rusia, çështjet e energjisë dhe shumë tema tjera nga fusha e sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Gerald Connolly tha se me agresionin e saj, Rusia dëshiron ta shkatërrojë demokracinë në Ukrainë dhe këtë ta bëjë edhe në vendet tjera, prandaj “shtetet tona duhet të qëndrojnë krah njëra-tjetrës”.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor, siç tha Connolly, ka qenë dëshmitar për vite me radhë se si forcat e autoritarizmit kanë zgjeruar ndikimin e tyre destabilizues.

“Ndarjet etnike, pastaj çështjet kushtetuese po e mbajnë rajonin prapa në integrimet euro-atlantike. Para tre dekadash, Bosnjë e Hercegovina ende po i vuan këto pasoja. Mosmarrëveshjet mes Beogradit dhe Prishtinës, çështjet e pazgjidhura, e pengojnë rajonin të shkojë drejt integrimit evropian. Progresi drejt sundimit të ligjit, qëndrueshmëria ekonomike janë kufizuar në rajon. Siguria jonë është e ndërlidhur ngushtë m’u për këtë Ballkani Perëndimor dhe shtetet euro-atlantike duhet të punojnë bashkë për të tejkaluar sfidat e rajonit dhe të pengojnë destabilizimin nga shtetet jo-demokratike si Rusia dhe Kina”, theksoi Connolly.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se Kosova do t’i kryejë të gjitha reformat e nevojshme që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s.

Ai tha se bota demokratike aktualisht është e mobilizuar për ta konfrontuar pushtimin ushtarak të Rusisë në Ukrainë me ndihma ushtarake dhe humanitare, dhe se ky seminar po mbahet në një moment të rëndësishmen ndërkombëtarë e gjeopolitik për të gjithë.

“Bota ose do ta hap një kapitull të ri të paqes, demokracisë globale dhe prosperitetit ekonomik ose do të kthehet para vitit 1989. Të punojmë të gjithë së bashku e jo vetëm të shpresojmë që të ndodhë e para. Kosova natyrshëm dhe fuqishëm është rreshtuar me botën demokratike. Ne si shtet jemi absolutisht të koordinuar me politikën e sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së kundër Federatës Ruse. Ne e kuptojmë nëpër çka po kalon populli i Ukrainës sikur askush tjetër meqë vet ishim një popull që u sulmua nga Serbia e Millosheviqit në vitin 1998”, theksoi Konjufca.

Përgjatë tre ditëve të këtij seminari, pjesëmarrësit do të diskutojnë për perspektivën e integrimit evropian të Kosovës dhe progresin e deritashëm, për situatën ekonomike në rajon pas COVID-19, për rolin e të rinjve në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme, për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, zhvillimet politike dhe të sigurisë në Bosnjë e Hercegovinë, implikimet e luftës në Ukrainë për Ballkanin Perëndimor, shtrirjen dhe implikimet e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, pastaj për kontributin e grave për paqen dhe sigurinë rajonale, pjesëmarrjen politike të tyre në Kosovë si dhe forcimin e sundimit të ligjit e luftimin e korrupsionit.

Më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të ftuar të tjerë, po marrin pjesë në takimin treditor, i dyti i këtij lloji në Kosovë.
Dita e tretë e seminarit të 102-të “Rose-Roth” i Asamblesë Parlamentare të NATO-s do të vazhdojë të mbahet nesër në Prishtinë. Tema që do të trajtohet për edicionin e nesërm është “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”. I pranishëm do të jetë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Seminari do të fillojë nga ora 09:30, në Hotelin “Swiss Diamond”.

Leave a Comment

Your email address will not be published.