Në Shkup u mbajt manifestimi “Ditët e alfabetit”

Fjala e Dr. Skender Asani, drejtor Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup


I nderuari kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akad. Skender Gjinushi,
I nderuari kryetar i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Akad. Mraneglen Verli
I nderuari drejtor i Institutit Albanologjik, prof. Hysen Matoshi,
I nderuari drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri”, prof. Sabit Syla,
I nderuari drejtor i Institutit të Studimeve Shqiptare dhe Protestante, Dr. David Hosaflook,
I nderuari drejtor i Muzeut të Alfabetit, Nuer Asllani,
I nderuar minister i arsimit, Arber Ademi.
Të nderuar akademikë, profesorë, studiues, dashamirë të kulturës shqiptare dhe të alfabetit shqip,
Jam shumë i nderuar që në cilësinë e organizatorit të këtij aktiviteti, pra Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, t’ju dëshiroj mirëseardhje në akademinë shkencore të manifestimit “Ditët e alfabetit”. Ky ishte viti i parë i këtij manifestimi, por dita e mirë shihet në mëngjes. Uroj që kështu të na vejë edhe vitet e tjera.
Të dashur të pranishëm,
Ne u takuam në ditën e parë të këtij manifestimi pikërisht këtu në Manastir dhe pikërisht në ditën e parë të Kongresit të Alfabetit, pra më 14 nëntor, kur i shpalosëm “Ditët e Alfabetit”, duke e promovuar veprën e mikut të madh të Institutit tonë, z. David Hosaflook. Botimi i disertacionit të tij, “Lëvizja protestante te shqiptarët”, edhe një herë na bindi se misioni protestant në Manastir ishte vendimtar për organizimin e alfabetin tonë.
Si mirënjohje për këtë, ne dje, pra më 19 nëntor, e promovuam në Shkup edhe veprën dyvëllimëshe të prof. Xhevat Lloshit, po ashtu botim i Institutit tonë dhe Institutit të Studimeve Shqiptare dhe Protestante, që i dedikohet Gjergj Qiriazit, një figure markante e historisë së alfabetit. Janë këto dy vepra që qëndrojnë në muret e datave të këtij manifestimi dhe janë shtylla jo vetëm të “Ditëve të Alfabetit”, por janë shtylla edhe të mbarë kulturës shqiptare. Ndërmjet tyre, brenda këtij manifestimi, i promovuam edhe dy botime të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe një botim që na erdhi nga Tirana.
Më 15 nëntor në Shkup e promovuam një vepër të njohur të shkrimtarit më të famshëm nga Maqedonia e Veriut, që është edhe shkrimtari shqiptar më i përkthyer në botë pas Kadaresë, Luan Starova, që erdhi me një vepër që i dedikohet Omer Kaleshit, një piktori po ashtu të madh, që është i lindur në Kërçovë, ndërsa jeton mes Stambollit, Shkupit e Parisit, e i cili po ashtu ishte bashkë me ne në Shkup. Ndërkaq më 16 nëntor i promovuam dy vepra të prof. Vllado Poposkit, që i dedikohen historisë shqiptare, e që ndër ne erdhën nga Shtëpia Botuese 55 nga Tirana.
Të hënën, pra më 18 nëntor, po ashtu në Shkup, e patëm promovimin dhe panelin dedikuar prof. Remzi Nesimit, që është figura më emblematike e albanologjisë në Maqedoninë e Veriut, që erdhi përmes dy produkteve botuese dhe mundësoi një takim që i mblodhi albanologët më të mirë të vendit tonë.
Dhe, sot u kthyem përsëri në Manastir, si për t’u kthyer në punimet e filluara të Kongresit, për të vazhduar këtu me këtë akademi shkencore, ku jemi të nderuar me praninë e titullarëve më të lartë të institucioneve shkencore të vendit tonë dhe të Republikës së Shqipërisë e të Republikës së Kosovës.
E bëra këtë paraqitje jo vetëm si informacion për ju, por më shumë desha të vë në pah angazhimin dhe përkushtimin tonë për këto aktivitete dinjitoze dhe serioze, që i japin vulë këtij manifestimi. Dy librat për alfabetin dhe familjen Qriazi, si dhe prezantimi i tre figurave më të mëdha të kulturës shqiptare, jo vetëm të vendit tonë, si Remzi Nesimi, Luan Starova dhe Omer Kaleshi, pikërisht në këto ditë festive, janë mënyra më e mirë për shënimin e Ditëve të Alfabetit.
Dhe, krejt kjo nuk është rastësisht. Identiteti shqiptar, si askund më shumë, bashkohet në alfabetin e gjuhës shqipes, madje shqiptarët mund të themi se janë një komb gjuhësor. Dhe, s’do mend ky tharm i identitetit tonë u prodhua pikërisht këto ditë para 111 vjetëve në këtë qytet. Kështu dhe këtu u vulos identiteti jonë dhe prandaj sot jemi shqiptarë kahdo që të jemi dhe kudo që të jetojmë. Mjafton që ta kemi shqipen gjuhë amtare dhe alfabetin e saj latin.
Po ashtu nuk është rastësisht as që Instituti jonë është themeluar më 22 nëntor, pikërisht në Ditën e Alfabetit. Kështu, sa herë që kremtohet festa e alfabetit, kremtohet edhe përvjetori jonë. Dhe, sa herë që kujtohet alfabeti, kujtohet edhe puna e jonë. Në këtë mënyrë, Instituti, përmes përvjetorit të vet dhe përvjetorit të kësaj feste, por edhe përmes punës së vet që llogaritet me libra dhe me projekte shkencore, është shndërruar në metaforë të identitetit shqiptar jo vetëm në vendin tonë. Tashmë nuk është mburrje nëse themi se viteve të fundit thuaja gjithçka ose, së paku, shumëçka që ka të bëjë me albanologjinë, lidhet me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Vetëm gjatë këtyre Ditëve të Alfabetit në Institutin tonë kanë hyrë e kanë dalë studiuesit më të mirë të shkencave albanologjike jo vetëm të vendit tonë dhe vetëm gjatë këtyre ditëve në Institut ka qenë gati se gjithë kreu i shtetit tonë dhe shumë diplomatë që shprehin nderim për punën tonë. I përmenda këto gjëra jo për ndonjë mburrje, por vetëm për ta vënë në pah dallimin se vetëm para pak viteve Dita e Alfabetit ishte një kremte që shënohej me një feste gati margjinale, ndërsa për kaq pak kohë kjo festë është shndërruar në lajtmotiv të identitetit tonë kombëtar jo vetëm për shqiptarët e shtetit tonë.
Shumë të dashur të pranishëm, sot kur jemi mbledhur këtu, unë dëshiroj të ndaj me ju edhe një lajm tjetër të mirë. Pas ndërkombëtarizimit të punës sonë, duke themeluar departament për edukimin për Holokaustin, që na i ka hapur dyert nga Jerusalemi deri në Uashington, si dhe pas krijimit të departamentit për trashëgiminë e Nënës Terezë, të departamentit të marrëdhënieve shqiptaro-osmane e të departamenteve të tjera, dje në mbledhjen e Këshillit të Institutit vendosëm të ngremë edhe qendrat rajonale të trashëgimisë sonë, me ç’rast mbi të gjitha kemi parasysh qendrën e trashëgimisë kulturore shqiptare “Qiriazët”, që së shpejti do të vihet në funksion në Manastir. Me këto qendra shpresojmë ta mbulojmë edhe pjesën tjetër të vendit, për ta plotësuar kështu mozaikun e trashëgimisë sonë kulturore, si dhe për t’u kujdesur, për ta mbledhur e për ta kultivuar këtë produkt shpirtëror të kombit.
Dhe, gjithë kjo punë dhe ky mund nuk është diçka që vjen vetëm si detyrim formal për ne. Është ky një vullnet që buron pikërisht nga idealet e ideologëve të Rilindjes Kombëtare, që kulminuan me Kongresin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Ndërkaq, së paku në perceptimin tonë, përvjetori i Institutit, që përkon me këtë datë, është trupëzim i këtyre idealeve dhe i kësaj fryme. Prandaj, dua t’ju siguroj se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut tashmë janë në rrugë të mbarë dhe këtu ekziston një institucion që seriozisht kujdeset për identitetin e tyre. Natyrisht, këtu nuk mund të mos e përmend edhe ndihmesën e përfaqësuesve të klasës politike, që gjithnjë na kanë mbështetur dhe janë gjetur pranë nesh. Zëvendëskryeministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive Etnike, që është mbështeti kryesor i manifestimit “Ditët e alfabetit”, zëvendëskryeministri për Çështje Europiane, si edhe ministrat e Arsimit e të Kulturës, janë personalitetet që nuk kanë hezituar kurrë të na ndihmojnë në këtë rrugë dhe ne jemi pafundësisht falënderues për mbështetjen e tyre.
Në fund ju falënderoj të gjithëve një nga një që sot erdhët në Manastirin e Alfabetit e të Qiriazëve, ku si në pelegrinazh vjetor, jemi kthyer pikërisht në amën e identitetit tonë, në atdheun e alfabetit shqip.
Edhe një herë ju faleminderit dhe mirupafshim!

Leave a Comment

Your email address will not be published.