Në Shkupin Dardan është e gjallë atdhedashuria e rilindasve tanë

Tash e tutje arterja kryesore që lidhë Kosovën me Maqedoninë e Veriut do të kalojë nëpër Bulevardin “Hasan Prishtina”, dhe pse mos ta themi se ky emërtim po ndodhë jo në Kosovë, as në Shqipëri, por piklërisht këtu në Shkupin Dardan, këtu ku fryma dhe atdhedashuria e rilindasve tanë, në krye me Hasan Prishtinën po i jep frytet e veta që do të ushqejnë me vizion dhe largpamësi shoqërinë e këtushme shqipatare.
Nga Mehmet PRISHTINA
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, jo vetëm si qendër e mirëfillt albanologjike, por po dëshmohet edhe si një katalizator i mendimit intelektual e profesional në mbarë hapësirën shqiptare. Mjafton të marrim shembull ditën e sotme, 12 gushtin, të cilën po e shënojmë, për t’u bindur se fryma atdhetare e kësaj dite të lavdishme është një vazhdimësi logjike e përpjekjeve tona për një konsolidim të mirëfillt kombëtar, kurse ITSHKSH është pjesë e pandarë e kësaj vazhdimësie. Gjithë ky anagzhim kolosal pa dyshim që i atribuohet punës ekipore e përkushtuese të këtij Instituti, në krye me arkitektin dhe ideatorin e tij – prof. Dr. Skender Asanin.
Pra, është kënaqësi të ndajmë me gjithë juve miqë të dashur, jehonën e një suksesi pikërisht në ditën e sotme kur edhe njëherë po dëshmohet se akti i çlirimit të Shkupit që ndodhi më 12 gusht 1912 nga kryengritësit shqiptarë, do të ngelë në kujtesën tonë, jo vetëm si një moment lavdie i përpjekve e tona për shtet e komb, por edhe si pikë referimi për orientimin e politikave tona kombëtare, kulturore, ekonomike e ushtarake tash e në të ardhmen. Dhe më mirë se në këtë Institut ku do të trajtoheshin më mirë këto politka, duke marrë parasysh faktin se pikërisht projektet dhe aktivitetet e shumta që u ndërmorrën këtu, konfirmojnë bindjen se kur angazhimi shkencor e hulumtues zhvillohet mbi baza të shëndosha humane e kombëtare, atëherë nuk kemi pse të brengosemi për të ardhmen tonë të përbashkët.
Sot kur po e shënojmë 12 gushtin e 1912-tës, në shiritin e kujtesës më dalin plot ngjarje që ne i regjistruam bashkë me mikun tim Skender Asanin dhe me shumë bashkëveprimtarë të tjerë, të cilat ishin në funksion të hapjes së një kapitulli të ri në kulturën tonë të nderimit dhe respektit ndaj figurave tona historike dhe ndaj ngjarjeve të lavdishme.
Pikërisht këtu në Shkup në mënyrë madhështore ne kremtuam 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Çlirimit të Shkupit, dhe si kurërëzim i këtyre veprimtarive pikërisht këtu në Shkup sollëm shtatoren e kolosit tonë të madh – Hasan Prishtinës. Kuptohet se këto punë nuk do të mund t’i bënim pa përkrahjen e faktorit politik shqiptar këtu në Maqedoninë e Veriut, andaj shfrytëzoj rastin që shumë sinqerisht të faleminderoj kryetarin e BDI-së z. Ali Ahmetin, për kontributin e tij madhor që dha në gjithë procesin e prurjes së shtatores së Hasan Prishtinës, si dhe ish kreun e Komunës së Çairit z. Izet Mexhitin me bashkëpunëtorët e tij.
Hasan Prishtinës tash më është pjesë e pandarë e pejsazhit urbanistik të Shkupit dhe kjo dëshmon se fryma hasaniste është gjallë edhe në këtë pjesë të Dardanisë së lashtë. Hasan Prishtina jo ratësusht e zgjodhi Shkupin si qendrën e veprimtarisë së tij patriotike, sepse ai me të drejtë konsideronte se nga Shkupi duhet të fillonte shtendërtimi shqiptar. Platforma e tij politike, e përmbledhur në 14 pikëshin e famshëm, që u shtri pastaj në një aksion të madh kombëtar e luftarak, do të gjente zbatim pikërisht në Shkup, aty ku për herë të parë u përjetua në praktikë gëzimi që sjell çlirimi i një qyteti shqiptar.
Me çlirimin e Shkupit, lëvizja jonë kombëtare dëshmoi tre objektiva:
E para, se gjeografia politike shqiptare shkon përtej hartave të strategëve që si synim kishin rrudhjen dhe copëtimin e tokave shqiptare
E dyta, Shkupi po synonte të dëshmojë në praktikë më 12 gusht 1912 se është një qytet i denjë që mund të bëhet edhe kryeqytet i gjithë shqiptarisë, një intencë kjo logjike që ia kishte caktuar vet historia, duke qenë paraprakisht edhe kryeqendër e Dardanisë dhe e Vilajetit të Koasovës.
Dhe objektivi i tretë, përkon me filozofinë politike të Rilindjes sonë Kombëtare që përmes një qyteti si Shkupi, të realizojë në praktikë ëndërrën për një shoqëri të hapur, me diversitet etnik, gjuhësor e kulturor, ku shqiptarët do të dëshmonin në praktikë aftësi shtetformuese, një argument ky shumë i fortë që demantonte propagandën dashakeqe se gjoja shqiptarëve iu mungon kjo aftësi.
Por, historia u tregua e padrejtë me shqiptarët sepse Shkupi nuk e pati fatin të gëzojë atë primat që ia kishin caktuar etërit e levizjes sonë kombëtare. Zhvillimi i ngjarjeve mori një drejtim krejt tjetër nga ai që e synonte Hasan Prishtina me shokët e tij, dhe kështu Shkupi mbeti nën rrënojat e projketeve famëkeqe ballkanike.
Nga njëri sundues, Shkupi kaloi tek sunduesi tjetër, kurse shqiptarët paguan shtrenjtë koston e mosunitetit të brendshëm kombëtar, mu në momentin kur shtiza e flamurit tonë kombëtar duhej të ngulej aty ku forca e armës kishte hapur udhën e shtendërtimit shqiptar.
Studimet tona historiografike ende nuk kanë dhënë përgjigje shkencore e të paanshme mbi këto fakte që lidhen me Shkupin dhe lënien e tij jashtë vorbullës së zhvillimeve kombëtare në fillim të shekullit njëzetë. Prandaj, shpresojmë që kjo do të mund të bëhet në të ardhmen, duke hequr nga gjykimi i drejt historiografik çdo dilemë e paragjykim që nuk i shërben të të vëretës.
Megjithatë, Shkupi vazhdon të frymojë shqip, pikërisht edhe sot kur po flasim dhe kur po e shënojmë 12 gushtine famshëm, për arsye se tash më është finalizuar një proces mjaft i rëndësishëm që e bën Shkupin me adresa të reja, ku emrat e shquar të shqiptarëve do të mbartin kujtesën për lavdinë e këtij qyteti të lashtë. Rrugët, sheshte dhe bulevardet që do të kenë emra shqiptarësh, janë dëshmia më konkrete e një angazhimi të koordinuar mirë në mes të shkencës dhe politikës, në mes të institucioneve dhe individëve vullnetmirë, ku Dr. Skender Asani doli të jetë një kordinator i shkëkqyer i këtij angazhimi. Tash e tutje arterja kryesore që lidhë Kosovën me Maqedoninë e Veriut do të kalojë nëpër Bulevardin “Hasan Prishtina”, dhe pse mos ta themi se ky emërtim po ndodhë jo në Kosovë, as në Shqipëri, por piklërisht këtu në Shkupin Dardan, këtu ku fryma dhe atdhedashuria e rilindasve tanë, në krye me Hasan Prishtinën po i jep frytet e veta që do të ushqejnë me vizion dhe largpamësi shoqërinë e këtushme shqipatare.
Prishtinë, 12 gusht, 2021

Leave a Comment

Your email address will not be published.