“Nëpër mendje” i jep zë temës tabu në shoqërinë kosovare

Gërshetimin e poezisë me performancë Nita Zeqiri e ka parë si formën më të mirë për të trajtuar shëndetin mendor. Filmi “Nëpër mendje” e merr shikuesin me vete për shkak të afërsisë që krijohet me personazhin kryesor, performuesen Sihana Shalaj, portreti i së cilës është në fokus të kamerës. E në anën tjetër, poezia e shkruar nga Zeqiri është një rrugëtim nëpër mendje, ashtu siç theksohet edhe në përshkrimin e filmit duke e bërë të dukshmen të padukshme, teksa të pazëshmen e bën të zëshme. Të dy komponentët i japin fuqi filmit dhe temës që shtjellon, shkruan sot Koha Ditore.

Ky ishte filmi i vetëm që të dielën mbrëma në “DokuFest”, në programin kombëtar, u dha premierë botërore. Të tjerët në këtë kategori ishin premiera kombëtare.

Pas shfaqjes së filmit regjisorja Zeqiri ka treguar se bashkimin e poezisë dhe performancës i ka parë si një zgjedhje të duhur për të trajtuar më thellësisht temën që ka filmi i saj.

“Realizimi i filmit gërsheton performancën dhe poezinë si formë të shprehjes për të trajtuar temën e shëndetit mendor. Është zgjedhur pikërisht poezia dhe performanca si mënyrë për të trajtuar me thellësisht temën duke lejuar njëkohësisht që secili/secila ta përjetojë atë edhe individualisht”, ka thënë ajo.

Realizimi i këtij filmi gjashtëminutash regjisores Zeqiri dhe ekipit të saj u ka marrë gati dy vjet.

“Bashkë me Ajete Kërqelin, psikologe dhe producente e filmit, kemi dashur të trajtonim tema të cilat lidhen me psikologji, e në këtë rast më shumë me shëndetin mendor, e cila është një temë tabu dhe vazhdon me u pa si stigmë”, ka thënë Zeqiri.

Leave a Comment

Your email address will not be published.