Nesër fëmijët dhe mësimdhënësit kthehen në bankat shkollore, në janar sërish grevë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se nesër (3 tetor) fillon mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

MAShTI thotë se i kishte bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillonte me 1 shtator kur zyrtarisht duhej të fillonte mësimi, por që kjo nuk u realizua për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK.

BSPK njoftoi dje se kanë pezulluar grevën e filluar më 25 gusht në administratën publike dhe arsim. Ata kanë thënë se greva do të jetë e pezulluar deri në janar të vitit 2023 dhe mësimi do të fillojë të hënën.

Ndërkaq, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka thënë se greva ka qenë e ligjshme dhe u përdor si mjet i fundit i presionit.

“Greva ishte detyrim sindikal dhe u përdor si mjet i fundit presioni në raport me partnerin social me Qeverinë. Nuk ishte akt personal, e as individual por mjet i organizimit sindikal”, është thënë në konferencë.

Kreu i SBASHK, Rrahmaj Jasharaj ka thënë se greva nuk po mbyllet, por po pezullohet deri në janar të vitit 2023.

“Urojmë që kjo kohë të shfrytëzohet nga qeveria për reflektim dhe dialog të mirëfilltë, sepse janari vjen shpejt dhe nuk është mirë që të ndodh prapë greva si kjo e tanishmja”, tha Jasharaj në një konferencë për media.

MAShTI ka njoftuar se të hënën do të formojë grupin punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla.

“Drejtoritë Komunale të Arsimit do të sigurohen për mbarëvajtjen e procesit mësimor”, thuhet në shkrimin e MASHTI-it në Facebook.

Ministria e Arsimit ka ftuar për bashkëpunim dhe mobilizim të të gjithëve pa dallim për të plotësuar humbjet e shkaktuara gjatë grevës.

Leave a Comment

Your email address will not be published.