Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” i ka kushtuar një artikull largimit të barrikadave nga pjesa veriore e Kosovës dhe dialogut Kosovë-Serbi në bazë të propozimit franko-gjerman.
Autori i artikullit, Andreas Ernst, njohës i politikave të Ballkanit, shkruan se Serbia fitoi raundin e parë në betejën e barrikadave, por presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nuk duhet të gëzohet shumë.
Ernst theksoi se Perëndimi e detyroi Kosovën të takohet me pakicën serbe, prandaj edhe presioni ndaj Beogradit për të njohur Kosovën do të rritet edhe më shumë.
“Realisht, rezultati i raundit të fundit të krizës mund të shihet si një sukses për Beogradin, siç e sheh edhe Vuçiç. Por, letrat e Serbisë janë më të këqija se ato të Kosovës.
Ernst ka komentuar edhe deklaratën e KFOR-it se nëse Forca e Sigurisë së Kosovës dëshiron të dislokohet në veri së pari duhet të marrë pëlqimin e komandantit të KFOR-it.
“Deri më tani është diskutuar nëse ekziston një rregull i tillë. Ajo relativizon sovranitetin e Prishtinës mbi një pjesë të territorit të saj”, shkruan Ernst.
Ai e përshkruan më tej edhe përpjekjen e kryeministrit Albin Kurti për ta shtrirë sovranitetin në të gjithë territorin e Kosovës.
“Qasja politike e Kurtit ndaj serbëve të Kosovës është që t’i trajtojë ata si të gjithë qytetarët e tjerë, me të njëjtat të drejta dhe detyrime. Tani ajo qasje legaliste i ka dështuar”.
“Dhe jo sepse ai sillet në mënyrë diskriminuese, siç pretendojnë shumë serbë të Kosovës. Pikërisht e kundërta. Ai injoron përvojat krejtësisht të ndryshme që ndërtojnë identitetin e shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës”, shtoi Ernst.
Prandaj, Ernst nënvizoi se BE-ja dhe SHBA-ja do të ushtrojnë presion edhe ndaj Kosovës për të formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.