Me intensitet BE-ja dhe SHBA-ja duan t’i japin zgjidhje çështjes së Kosovës. Por në vend që të imponojë zgjidhje, Perëndimi duhet të kërkojë propozime nga vetë palët në konflikt shkruan gazeta zvicerane, Neue Zürcher Zeitung.
Për analistin e Neue Zürcher Zeitung dhe njohës i çështjeve të Ballkanit, Andreas Ernst, është mjaft pozitive që Perëndimi po e merr seriozisht zgjidhjen e çështjes së Kosovës aktualisht, duke pasur parasysh edhe luftën që po zhvillohet në Ukrainë. Por megjithëse vlerësohet pozitivisht “kjo energji e re” nga BE-ja dhe SHBA-ja, ai shpreh dyshime për qasjen e duhur ndaj zgjidhjes së konfliktit edhe kët muaj. “Duket se ata edhe më tej vazhdojnë të mbajnë gjallë modelet e vjetra: ose gjërat zvarriten, ose zgjidhja diktohet”. Për NZZ propozimet aktuale që Serbia të sillet me Kosovën korrekte si me çdo fqinj, pa pasur nevojë ta njohë nga ana ndërkombëtare, dhe Kosova të krijojë Asociacionin e Komunave Serbe nuk pranohen nga palët në konflikt. Kryeministri Kurti do njohje të menjëhershme dhe jo Asociacion, shkruan NZZ, kurse presidenti serb do Asociacionin dhe që gjërat e tjera të mos ndryshojnë.
Vëmendjen e mediave gjermanisht folëse e kanë tërhequr edhe deklaratat e presidentit kroat, Zoran Milanoviq, në lidhje me Kosovën. Gazeta austriake “Kronen Zeitung” shkruan, se Milanoviç rregullisht del kundër sanksioneve të perëndimit kundër Rusisë. Para reporterëve ai ka kritikuar dërgimin e tankeve luftarake nga Gjermania duke theksuar “se Krimeja nuk do të bëhet kurrë pjesë e Ukrainës”. Gazeta austriake nënvizon se “si arsye Milanoviq përdor ‘rastin precedent’ Kosovën. ‘Ne e kemi aneksuar Kosovën. Bashkësia ndërkombëtare edhe ne. Iu rrëmbye Kosovës me dhunë (…) nuk ishte anektim, ishte rrëmbim.” Krahasimet e përdorura nga Milanoviq kanë shkaktuar reagime të forta. Presidenti kroat nuk është në një linjë politike me qeverinë kroate me deklaratat e tij, sipas “Kronen Zeitung”. /DW