Ngjarja e rëndë në Pejë, prokurori: Ka ndodhur dhe më herët! Po hetohet

Prokurori i Pejës, Dorian Juniku ka treguar se dyshohet se dhuna në shtëpinë e të moshuarve “Orinda” ka ndodhur edhe më herët. Ai u shpreh se mund të jetë ushtruar dhunë edhe ndaj personave të tjerë që strehohen në azil.

Prokurori Juniku tha se janë në fazat e para të hetimeve dhe se po merret në pyetje i gjithë personeli, si edhe i personave që jetonin në shtëpinë e të moshuarve. “Orinda”

“Jemi në fazën fillestare hetimore, në fazën e hershme të grumbullimit të informacioneve që në fund të kompletojmë rastin dhe të kemi një pasqyrë të qartë se çfarë ka ndodhur në gjithë këtë ngjarje. Jemi duke punuar në vazhdimësi dhe s’do të ndalemi derisa të zbardhet e gjithë ngjarja.

Është autorizuar policia që të marrë në pyetje personelin, por edhe të tjerëve që janë vendosur në atë shtëpi. Kemi dyshime që këto raste mund të kenë ndodhur edhe më herët. Janë dyshime të arsyeshme. Kemi informacione që mbeten për tu vërtetuar që kanë përdorur dhunë edhe ndaj personave të tjerë”, tregoi Dorian Juniku në emisionin Debat Plus.

Dhuna e infermiereve ndaj të moshuarës në azilin në qytetin e Pejës, ka tronditur opinionin publik.

Publikimi i pamjeve të rënda ka sjellë shumë reagime duke dënuar aktin e infermiereve. Siç shihet nga pamjet e publikuara në media, Aurona Pelaj dhunon të moshuarën dhe koleget e saj qeshin, ndërsa njëra prej tyre e filmon.

Dy infermieret, Aurona Pelaj dhe Altina Rexhepi dyshohet se dhunuan gruan e moshuar brutalisht, teksa Remize Kuqi regjistroi momentin. Në deklaratën e saj për policinë të publikuar nga Sinjali, thuhet që infermierja Aurona Pelaj e arsyetoi dhunën me pretendimin se e moshuara ishte agresive.
”Unë kur kam filluar punën ajo veç ka qenë banore e shtëpisë dhe se nga mjeku është konstatuar se e njëjta ka çrregullime mendore. Në ditën kur ka ndodhur rasti ajo ka qenë shumë agresive dhe kohë pas kohe përjetonte kriza nervoze dhe për këtë e kemi njoftuar doktorin. Atë ditë, e kemi pasur për detyrë që t’ua ndërrojmë pampersat pasi e moshuara (viktima) e kishte kryer nevojën fiziologjike dhe me duart e saj e ka ndotur hapësirën. Unë e kam dëgjuar një zhurme te banjoja dhe kam shkuar që të shikoj. Aty koleget e mija kishin pasur telashe dhe desha të ju ndihmoj. Ajo (viktima e moshuar) më ka sulmuar dhe më ka shkaktuar lëndime në dorë, më ka sulmuar me shqelm e para. Unë nuk kam përdor dhunë e as forcë të madhe përveç me ndalu sulmin e saj ndaj meje. Ajo atë ditë e ka sulmuar edhe një banore tjetër”, ka deklaruar ajo.

Aurona Pelaj ka deklaruar po ashtu se ka mësuar se duhet të jetë dominonte ndaj personave me probleme psikike.

”Në shkollë jemi mësuar se personat që paraqesin rrezik për personelin dhe kanë probleme psikike duhet të tregohemi dominant ndaj tyre. Unë jam e vetëdijshme se veprimi ka qenë i tepruar dhe nën afekt, por ajo e para më ka sulmuar dhe veprimet e mija kanë qenë paralajmëruese dhe jo me forcë të madhe. Koleget e mija janë munduar ta vënë nën kontroll atë (të moshuarën). Janë munduar me forcë ta ndërrojnë, ka qenë e fuqishme dhe është dashtë disa veta ta vënë nën kontroll”, ka shtuar ajo.

Avokati tregon me sa vite burg mund të dënohet infermierja Aurona Pelaj

Avokati Arianit Koci ka treguar se deri në sa vite burgim mund të dënohet infermierja që rrahu të moshuarën në qendrën “Orenda” në Pejë. Ai tha se nëse do ta mbronte të dyshuarën, atëherë do t’i “kishte thënë që ta pranojë fajësinë ose të mbrohet në heshtje”.
“E kisha mbrojtur pa asnjë dilemë, por kësaj infermieres i kisha thënë të pranonte fajësinë ose te mbrohet në heshtje, nuk e kisha lejuar te bente asanjë lloj arsyetimi, se veç po e rëndon pozitën e vet procedurale”, deklaroi Koci.“Prokruroia e ka filluar me “sulm”, për personat e ndjeshëm dënimi maksimal është me 3 vjet burgim, por duhen parë të gjitha rrethanat, por kjo është e drejtë e prokurorisë”, tha ai, raporton gazeta Express.

Dhëndri i të moshuarës që u rrah nga infermieret në Pejë rrëfen detajet: Ja pse qëndronte në azil

Pas ngjarjes së rëndë të regjistruar ditën e sotme, ku nëna e dëshmorit të UÇK-së Taulant Nuraj u dhunua nga dy punonjëse të një qendre për të moshuar në Pejë, ka reaguar edhe dhëndri i kësaj të fundit, Erzen Vela.

BeFunky-collage (6)

Vela ka thënë se në trupin e vjehrrës së saj ishin vërejtur shenja dhune 4 ditë më parë, duke shtuar se e bija e saj dhe bashkëshortja e tij, Zhaneta Nura, kishte vërejtur shenja në faqen e saj, por nuk e kishte menduar që mund të jenë shkaktuar nga ushtrimi i dhunës, por nga ndonjë lëndim.
“Para 4 dite kur e bëri vizitën e ka parë një shenjë në faqe, por s’ka mundur ta imagjinojë këtë… e ka lënë që ka qenë një lëndim”, ka thënë ai në emisionin Pressing.

Vela ka thënë se ajo ishte dërguar në këtë qendër në mënyrë që të merrte trajtim më të mirë për shkak të sëmundjes nga e cila vuan.

“Për shkak të pamundësive, sepse njëri djalë është i vrarë, dëshmor, njëri në Belgjikë dhe shoqja në punë, dhe mungesa e  kohës dhe sëmundja e saj, u vendos që ajo të trajtohej në një qendër rezidente si kjo”, ka deklaruar ai.

Dhëndri i së moshuarës ka thënë se ajo, për shkak të sëmundjes, nuk është në gjendje të mbajë mend skenat e dhunës që i ka përjetuar.

Ai ka treguar në emision se informacionin e saktë për keqtrajtimin e saj e kanë marrë sot nga mediat dhe e kanë tërhequr nga qendra pak orë më pas.

“Nga videot që janë shpërndarë në rrjete sociale, kjo ka qenë informata e vetme. Mandej kemi udhëtuar në Pejë dhe e kemi bërë tërheqjen e saj. Kam biseduar me menaxherin e qendrës, kam kërkuar të ma jap vendimin që po e tërheqim nënën e gruas për shkak të kësaj”, ka deklaruar ai.

E moshuara që u dhunua në Pejë nuk ishte e vetmja, institucionet injoruan ankesën për një tjetër rast

Të tjera detaje tronditëse kanë dalë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në një qendër për të moshuarit “Orenda” në Pejë, ku u dhunua nga punonjëset nëna e dëshmorit të UÇK-së, Taulant Nuraj.
Sipas burimeve, bëhet me dije se keqtrajtimi i të moshuarës nuk është i vetmi. Edhe një banore tjetër është keqtrajtuar më parë në këtë qendër. Lidhur me këtë rast, Tomor Hasani ka dërguar ankesë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por ai nuk ka marrë përgjigje. Hasani, në një bisedë për Gazetën Express ka dhënë detaje për rastin.
Vitin e kaluar, Tomor Hasani, ka dërguar një ankesë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për keqtrajtimin e një familjareje të tij. Ai tha se bëhet fjalë për hallën e babait të tij. Ai ka treguar se e moshuara i është rrëfyer babait të tij, në këtë rast vëllait të vet.

“Gjyshi jem ka shku me vizitu motrën e vet dhe kur kanë fillu me bisedu ajo ka nisë me qajt dhe ka tregu që infermieret po sillen keq me të”, deklaroi Hasani.

Ai tha se nuk e di nëse bëhet fjalë për keqtrajtim fizik, mirëpo shtoi se familjarja e tij është ankuar se infermieret nuk po kujdesen mirë për të gjatë natës.

“Për keqtrajtim fizik nuk e di që ka pasë, mirëpo ndoshta prej frikës nuk ka tregu… Nuk e di, nuk mund të them asgjë për keqtrajtim fizik, mirëpo ajo ka thënë se verbalisht infermieret janë sillë keq. Psh, natën kur ka pasë nevojë, nuk kanë marrë ndihmë prej infermiereve”, tha Hasani.

Ai tha se për këtë çështje ka dërguar email në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje nga ta. ‘Përgjigje’ ai mori nga pronari i qendrës “Orenda”.

“Kam dërgu email në ministri, s’kam marrë përgjgije. Mirëpo kom marr prej drejtorit, i cili më ka thënë ‘pse ke vepru në mënyrë të njëanshme, e nuk na ke lajëmru neve’ dhe u ka bërë presion fëmijëve të hallës së babait me e tërheq ankesën, por unë nuk e kam tërheq”, tha ai për Express.

Ai tha se nuk e di nëse ende familjarja e tij qëndron në këtë qendër, pasi sipas tij, me çështjen janë marrë fëmijët e saj.

“Fëmijët janë marrë me atë punë, se ata kanë qenë të mllefosur me mu se janë tutë që po hakmerren infermieret”, tha Hasani.

Ai ka dërguar edhe emailin që e ka dërguar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Përmes kësaj shkrese dua të ndaj me ju një ankeë të familjares sime, e cila është e moshuar. “Orenda” në Pejë (Rruga “Maria Shllaku”, nr 12). Ajo ankohet se infermieret në këtë rezidencë kanë sjellje të pahijshme ndaj të moshuarve që janë të vendosur aty, Kjo ndodh posaqërisht në ndërrimin e natës, kur të moshuarave me nevoja të veçanta u nevojitet ndihmë për gjërat që nuk mund t’i kryejnë vetë”, thuhet në emailin që Hasani e ka dërguar në MPMS.

Kujtojmë se në ngjarjen e rëndë të ditës së sotme ishin të përfshira disa infermiere, ku dy prej tyre dhunonin të moshuarën, nje tjetër e filmonte dhe të tjerat qeshnin.

Reagon babai i infermieres: Drejtësia të veprojë mbi vajzën tonë, falë gjakut të Taulantit ne gëzojmë lirinë

Babai i infermieres që sulmoi fizikisht nënën e dëshmorit të UÇK-së në qendrën e të moshuarve “Orinda” në Pejë, Naim Pelaj, ka kërkuar falje publike për veprimin e së bijës.

Duke folur për Klan Kosovën, falje publike ai i kërkon edhe familjes së të moshuarës Nura nga Gjakova, duke thënë se pamjet e publikuara e kanë goditur rëndë atë dhe familjen.

“E dashura familje e nënës së dëshmorit të lirisë Taulant Nura, që falë gjakut të tij ne sot e gëzojmë lirinë, duam të ndajmë dhimbjen me ju dhe ndjejmë me ju nga thellësia e shpirtit tonë për lëndimin qe ju ka shkaktuar vajza jonë”, ka thënë Pelaj.

“E di që po kaloni momente të rënda, por na lejoni që t’ju kërkojmë falje publike në emër të familjes sime Pelaj, nga Novosella e Pejës, juve familja Nura dhe mbarë popullit shqiptar. Dashtë Zoti që ky rast të mos përsëritet më dhe ju jemi borxhli moralisht dhe shpirtërisht gjithë jetën juve, familjes Nura nga Gjakova, për tragjedinë shpirtërore që ju shkaktoi vajza jonë”.

Pelaj ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të merren me rastin në fjalë.

“Gjithashtu, në rastin e vajzës sonë, kërkojmë nga organet e rendit që të veprojnë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës për veprat për të cilat e ngarkojnë”, ka thënë Pelaj.

Burri i njërës prej punonjëseve të arrestuara kërcënon pronarin e qendrës së të moshuarve

Bashkëshorti i njërës prej punonjëseve që dhunuan nënën e dëshmorit të UÇK-së në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë, ka kërcënuar pronarin e qendrës.

Menjëherë pas këtij akti, ai është vënë në prangat e Policisë së Kosovës.
Lajmin e bëri të ditur indeksonline, që tha se bashkëshorti i punonjëses kishte shkuar në qendrën e të moshuarve për të mësuar arsyet e arrestimit të saj e më pas kishte kërcënuar pronarin.
Kujtojmë se në ngjarjen e rëndë u përfshinë disa prej punonjëseve të qendrës, ku njëra prej tyre sulmonte me shuplaka të moshuarën, një tjetër e filmonte dhe të tjerat qeshnin.

Leave a Comment

Your email address will not be published.