Tri raste: Augusto Pinochet, Ejup Ganić dhe Tzipi Livni
Nga Dr. Daut DAUTI/Londër
E drejta ndërkombëtare jo vetëm që i lejon por edhe i obligon të gjitha shtetet, në të gjitha rastet, vendet dhe kohët, të ngriten akuza kundër personave që dyshohet sa janë pjesëmarrës në krime të luftës apo krime tjera, përfshirë ato kundër njerëzimit.
Ngritja e akuzave bëhet me qëllim që të respektohet parimi univerzal i drejtësisë që kërkon sjelljen para drejëtsisë të çdo rasti apo individi që dyshohet për vepra të këtilla. Ky parim nuk është i ri në sistemin jurdik britanik por me kalimin e kohës, siç do të shihet nga këto tri raste, është pasuruar. Pra, parimi ka të bëjë me kompetencën apo obligimin univerzal të legjislaturave të shteteve që ka filluar me rastet kundër piratërisë (detare), tregtisë me skllevër dhe që ka vazhduar me krime të luftës, krime kundër njerëzimit, gjenocidit, torturës, zhdukjes me dhunë dhe ekzekutimeve jasht-gjygjësore.
Këto krime janë shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës të vitit 1949 dhe të cilat i detyrojnë shtetet që të ndërmarrin masa përkatëse gjygjësore. Në gjykatat e Britanisë së Madhe disa herë janë ngritur akuza të këtilla. Madje, jo vetëm akuza penale, por edhe civile (pas procedurës penale) për kompenzim të të dëmtuarve.
1. Rasti që ka zgjuar interesimin më të madh ka qenë akuza e ngritur kundër diktatorit Augusto Pinochet për ushtrim të torturave kundër qytetarëve qilean. Në tetor të vitit 1998 Pinochet erdhi në Londër por u arrestua pas disa ditësh për shkak se Spanja, Belgjika, Franca dhe Zvicra kërkuan ekstradimin e tij për t’u gjykuar në këto vende ku ekzistonin akuzat e ngritura. Diktatori u burgos dhe më vonë u mbajt në burg shtëpiak deri në vitin 2000 kur përfundoi procedura dhe kur me intervenim të qeverisë britanike ai u përzu nga vendi. Nuk u dënua dhe nuk u ekstradua në këto shtete për shkak se kolapsoi procedura gjygjësore. Por, sikur gjërat të shkonin siç duhej, diktatori do të dënohej në Londër ose në njërin nga vendet ku do të ekstradohej. Dmth kryesi i krimeve do të dënohej në një vend ku nuk ishte bërë krimi.
2. Me 1 mars 2010 në aeroprtin e Londrës (Heathrow) u arrestua Ejup Ganiq, ish kryetar i Bosnës dhe Hercegovinës. Ganiq u dërgua në burgun Wandsworth. Publikisht ky arrestim u kritikua rëndë nga shumë politikanë, përfshirë ish kryeministren Margareth Thatcher dhe Pady Ashdown, lideri i partisë liberal-demokratre britanike. Por, gjykatat në Britani janë të pavarura dhe nuk i dëgjojnë thirrjet e politikanëve. Ganiq u lirua që të mbrohej në liri vetëm kur Diana Jenkins, një aktiviste për të drejtat e njeriut, e pagoi shumën që duhej të parave (kaucionit).
Natyrisht, Ganiqin e kërkonte shteti serb. Gati pas pesë muajve gjykata e liroi Ganiqin pasi që vërtetoi se akuza që e kishte ngritur prokuroria e Serbisë ishte e pabazë. Madje, gjykatësi Timothy Workman e c ilësoi akuzën serbe si tërësisht politike dhe e kritikoi rëndë sistemin e prokurorisë dhe atë të gjygjësisë së Serbisë duke e quajtur jokompetent.
3. Në dhjetor të vitit 2009, ish ministrja e jashtme e Izraelit, Tzipi Livni, po bëhej gati të nisej për Britani të Madhe që të merrte pjesë në një konference joshtetëror. Britanikët e informuan se policia do ta arrestonte sapo të mbërrinte të territor britanik dhe ajo e anuloi vizitën. Akuza e ngritur kundër Livnit kishte të bëjë me ngjarjet në Gazë në vitin 2008-9 kur ajo ishte në funksion dhe kur ishin paraqitur krimet kundër palestinezëve. Akuza ishte inicuar nga personalitete dhe organizata britanike për të drejta të njeriut.
Kjo ngjarje ndikoi që Izraeli të shqetësohej dhe u ankua te qeveria britanike e cila njoftoi se nuk kishte se çka të bënte pasi që policia dhe gjygjet nuk kontrollohen nga qeveria. Por, ndodhi një ndryshim. Britanikët në vitin 2011 e ndryshuan ligjin, i cili e vështirësoi ngritjen e padive kundër funksionarëve izraelit. Megjithatë, ndryshimi ka të bëjë me personalitetet izraelite derisa ata janë në funksione zyrtare dhe kur gëzojnë imunitet. Pra, akuzat mbesin të ngritura dhe kanë efekt kur këto personalitete nuk janë në fuknsion. Kjo është arsyeja që në Britani të Madhe nuk vjen asnjë politikanë izraelit jozyrtarisht pasi që për shumicën e tyre akuzat janë të gatshme.
Këto raste kanë treguar vështirësitë e zbatimit të ligjit të kësaj natyre në gjykatat britanike por, njëkohësisht, është dëshmuar se ekziston mundësia e ngritjes së akuzave të cilat edhe mund të pëfundojnë me sukses.
Tashti, në përfundim, ndoshta nuk është keq të parashtrohet një pyetje: A ka iniciur ndonjë akuzë shteti i Kosovës në Britani kundër ndonjë të dyshuari për krime të luftës apo krime kundër njerëzimit që janë ushtruar me të madhe në Kosovë? Helbete? Psh sikur që bënë Serbia edhepse nuk ka të drejtë e as arsye ta bëjë këtë.