Nis tërheqja e një pjese të zyrtarëve policorë nga ndërtesat komunale në veri

Marrëveshja e Bratisllavës për tërheqjen e zyrtarëve policor nga ndërtesat komunale në veri të Kosovës ka filluar të zbatohet. Lajmin e ka konfirmuar Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për Mitrovicën e Veriut.

”Pas pranimit të vendimit të qeverisë i njëjti është dërguar në teren për ekzekutim. Vendimi i Qeveris së Kosovës ka filluar të implementohet”, ka thënë Elshani.

Kjo vjen pas një marrëveshje e së martës ne Bratisllavë ku në piken e parë të saj thuhet që Kosova do të filloj tërheqjen e zyrtarëve policor në masën 25%.

Tensionet në veri të Kosovës kanë vazhduar që nga fundi i majit, kur kryetarët shqiptarë hynë në ndërtesat komunale në veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës.

Kjo u kundërshtua ashpër nga serbët lokal të ndikuar nga Serbia, të cilët protestuan çdo ditë, me kërkesë që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqet nga veriu dhe kryetarët të mos shkojnë në objektet komunale.

Serbët bojkotuan zgjedhjet e fundit lokale në prill dhe tani nuk i pranojnë rezultatet.

Në seancën e Qeverisë së Kosovës, më 12 korrik, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij publikisht mbështet zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të mbahen pas stinës verës. Megjithatë, para zgjedhjeve, një pjesë e policëve duhet të tërhiqen nga ndërtesat komunale dhe rreth tyre, në veri të Kosovës.

“Pra, 25 për qind e policëve do të zhvendosen diku tjetër në po ato komuna dhe do të vazhdojnë detyrën atje ku ka më shumë nevojë për ta, meqenëse konsiderojmë se pranë ndërtesave komunale situata tash e dy javë është krahasimisht shumë më e qetë”, deklaroi Kurti.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka mirëpritur pajtimin mes bllokut evropian dhe Kosovës për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.

“Ne presim që Kosova të ndërmarrë hapa të tjerë pozitivë dhe të vazhdojë përparimin në këtë drejtim”, shkroi Borrell në Twitter, duke shtuar se do të vazhdojë puna me palët në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.

Më 10 korrik, Kosova dhe BE-ja arritën pajtim për hapat e parë drejt shtensionimit. Megjithatë, ato u bën publike një ditë më pas.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi serbët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë në veri, që hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Serbët po kërkojnë tërheqjen e plotë të njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe të kryetarëve të rinj.

Faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet dhe Prishtina të organizojë zgjedhje të reja. Kosova edhe më herët nuk është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve në komunat në veri – të banuara me shumicë serbe – por zyrtarët shtetërorë kanë kërkuar që ato të përgatiten në mënyrë që të mos ketë bojkot.

Leave a Comment

Your email address will not be published.