Nis vaksinimi i mjekëve kosovarë në Kukës

Në Qendrën Rajonale të Telemjekësisë në Kukës të hënën ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit me kurën e AstraZeneca. Pas personelit mjekësor që u imunizua gjatë javëve të kaluara, nga kjo e hënë ka filluar vaksinimi i mësimdhënësve shqiptarë.

Por krahas këtyre, kryeministri shqiptar ka bërë thirrje që të gjithë mjekët kosovarë të shkojnë në Kukës për t’u vaksinuar meqë kontrata e blerjes së vaksinës nuk lejon dhurimin e saj si donacion për Kosovë.

Kjo u bë e ditur edhe për Klan Kosova, kur të hënën një ekip i televizionit qëndroi në Spitalin e Kukësit, ku edhe vazhdoi vaksinimi anti COVID-19 me ilaçin që në shtetin shqiptar arriti nga Suedia.

Mjeku kosovar Blerim Feka e kaloi kufirin të hënën për tu imunizuar kundër koronavirusit.

Pasi regjistrohet, gjinekologu ka për tu vaksinuar me kurën anti-covid të AstraZeneca për çka thotë se nuk hezitoi aspak.
‘Shumë lehtë dhe afër. Më pritën përzemërsisht dhe më bën vaksinën kundër Covid-19. Jam i lumtur. I ftoj të gjithë kolegët që të shfrytëzojnë mundësinë për tu vaksinuar kundër Covid-19”, tha ai për Klan Kosovën.

Me këtë vaksinë këto ditë në Shqipëri ka filluar imunizimi i mësimdhënësve ndërsa vetëm në Kukës janë vaksinuar mbi 40 të tillë.

Ata që morën vaksinën u siguruan nga përgjegjësit e vaksinimit se kjo dozë nga skandinavia nuk ka efekt anësor trashjen e gjakut siç u raportua në disa vende europiane vendet e fundit.

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.