Një libër për “gjeopolitikën-etike” të Amerikës ndaj shqiptarëve

Publicistika kombëtare shqiptare dhe në përgjithësi mendimi kritik shqiptar në dy dekadat e fundit do të dilte mangët pa librat e Ndriçim Kullës. Studimet dhe hulumtimet e tij multidisiplinare e bëjnë sot atë njërin prej autorëve më seriozë të mendimit shqiptar, shkruan sot Koha Ditore, transmeton HasanPrishtina.eu

Ai ka botuar disa prej studimeve më serioze mbi trashëgiminë e të ashtuquajturit “mendim i ndaluar shqiptar”, duke qëmtuar mbi idetë e pionierëve të Neoshqiptarizmës; po ashtu ka hulumtuar dhe studiuar veprën e albanologut Zef Valentini, duke ia dhënë shkencës së albanologjisë njërën prej monografive më të vyera dhe më të kompletuara, etj.

Nga sukseset kryesore të Ndriçim Kullës duhet përmendur edhe dy librat që ky autor ka botuar viteve të fundit, e që jam i bindur se radhiten në mesin e vlerave më të larta të botës intelektuale shqiptare: biografinë e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, me titull “Ylli i shkrimtarit” – një libër që e radhit Ndriçim Kullën në mesin e kadareologëve më të spikatur të mbarë botës, si dhe vështrimin gjithëpërfshirës historik, kulturor, sociologjik dhe psikologjik mbi kombin dhe mbi individin shqiptar, me titull paksa provokativ: “Kush je jemi ne shqiptarët”? Libri i fundit – pra “Kush je jemi ne shqiptarët”, në njëfarë dore është një receptim i modelit të librave nga tradita historike, si: “E vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët” nga Pashko Vasa dhe “Shqipëria kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, nga Faik Konica – libra të cilët u shkruan për t’ia rrëfyer botës tregimin e vërtetë për shqiptarët.

Leave a Comment

Your email address will not be published.