Novela “Viza Amerikane” – dëshmi e fuqisë letrare për të demaskuar të keqen

Novela “Viza Amerikane” arrin të vërtetojë fuqinë që ka arti letrar në pikturimin e anëve të padukshme të jetës dhe përplasjet e vazhdueshme të etikës me joetikën, të ndershmërisë me pandershmërinë, ku autori me mjeshtri krijuese ka arritur të depërtojë në fijet e padukshme të një makinerie korruptive ku njerëzit e ndershëm brenda natës shndërrohen në hije të vetvetes. Një novelë si “Viza Amerikane” e bën letërsinë shqipe të konkurrueshme në tregun e madh të botës së artit e kulturës.

Nga Mehmet PRISHTINA

Shkrimtari Shefqet Meko vjen me një befasi letrare duke na sjellë novelën “Viza Amerikane” e cila përbëhet prej 17 kapitujve. Në 223 faqet e kësaj novele gjejmë panoramën me plot kontraste sociale, morale e njerëzore të tranzicionit shqiptar, ku personazhi kryesor, Artan Pojani, një ish mësues i matematikës, i cili kishte kaluar në biznesin e bletarisë, pa fajin e tij ndodhet në kurthën e një intrige që tejkalonte kufinjtë shtetërorë. Atij ia vjedhin identitetin  për llogari të një shtetasi tjetër,  Arshim Gatranit, i cili në mënyrë korruptive ishte bërë përfitues i lotarisë amerikane.
Autori i novelës ndoshta nuke ka patur problem të nuhas deformimet që u shfaqën gjatë tranzicionit të stërgjatur shqiptar, sepse ato kemi patur rast t’i lexojmë edhe në shtypin e ditës,  por merita e tij qëndron në faktin se ai me mjeshtri krijuese ka arritur të depërtojë në fijet e padukshme të një makinerie korruptive ku njerëzit e ndershëm brenda natës shndërrohen në hije të vetvetes. Asht siç nddhi edhe me Artan Pojanin i cili filloi të mos e njihte vetvetn, sepse identiteti i tij civil  ishte transferuar tek një person tjetër dhe krejt kjo ishte bërë me ndihmën e zyrtarit të qeverisë, Gogo Përcullës, i cili kishte bartur poste të larta ministrore.
Promovohen dy veprat e Shefqet Mekos “Viza Amerikane” dhe “Saga përtej  Atlantikut” – Plot kontraste sociale, morale e njerëzore të tranzicionit  shqiptar – Ekonomia Online

Në një atmosferë sa orvelliane, po aq kafkiane, novela e Shefqet Mekos zbulon anët e errëta të natyrës njerëzore e cila bëhet edhe më e rrezikshme kur vishet me pushtet. Por fuqia morale e individit dhe beteja për të luftuar për të drejtën e tij, në këtë rast e Artan Pojanit, del të jetë pika qëndrore ku akumulohet katarsa morale e një shoqërie.
Fabula narrative e novelës ndërtohet mbi një linjë kryesore rrëfimi, por autori ia ka arritur që kërshërinë e lexuesit ta intrigoj edhe me linja tjera rrëfimi dhe me personazhe që begatojnë galerinë e karaktereve e situatave.

Artan Pojani si strumbullar kryesor i këtij rrëfimi me nuanca trilleri, sakrifikon diçka nga rehatia personale  duke udhëtuar ilegalisht në Amerikë për ta denoncuar vjedhjen e identitetit të tij, në praninë e përfaqësuesve të Zyrës Lokale të Emigrimit në shtetin e Dakotës së Jugut. Në këtë aventurë atij i ndihmoi një miku i tij, shqiptaro-amerikani Pandi Pllaha, i cili gjithashtu ishte viktimë e manipulimit nga ana e një zyrtari shtetëror.

Pasi ta kemi lexuar novelën “Viza Amerikane” të shkrimtarit Shefqet Meko do të mbetimi para një dileme: Nëse sjelljet e njeriut janë produkt i rrethanave sociale, ekonomike e shoqërore, apo  vet njeriu është arkitekt i atyre rrethanave, ku në fund kufiri në mes të ndershmërisë dhe pandershmërisë bëhet i padukshëm, ashtu siç bëhen të  padukshme edhe identitetet e njerëzve, të cilët brenda natës kontrabandohen  dhe projektojnë  fate të ndërtuara mbi falcitet dhe gënjeshra.

Gjithsesi novela “Viza Amerikane” arrin të vërtetojë fuqinë që ka arti letrar në pikturimin e anëve të padukshme të jetës dhe përplasjet e vazhdueshme të etikës me joetikën, të ndershmërisë me pandershmërinë…..
Një novelë si “Viza Amerikane” e bën letërsinë shqipe të konkurrueshme në tregun e madh të botës së artit e kulturës.

Shkup, 09. 04. 2023

(Fjalë e mbajtur në promovimin e novelës “Viza Amerikane”në ITSHKSH në Shkup)

Leave a Comment

Your email address will not be published.