Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabit Geci, ka thënë për Albanian Post se hetuesit e EULEX-it i kishin ofruar një çantë me para dhe të zgjidhte për të jetuar në cilin do vend të Evropës, në këmbim të dëshmisë kundër ish-luftëtarëve të UÇK-së.
“Unë paratë nuk i kam parë, vetëm më kanë thënë qe çantën me para e ke këtu nëse pranon të bashkëpunosh me neve. Edhe më kanë thënë në cilindo vend të Evropës që zgjedh, do të jetosh ti me familjen tënde”, ka thënë Geci.
“Prej vitit 2000 kam folur për këto padrejtësi dhe poshtërsia që i kanë bërë UNMIK-u dhe EULEX-i në vendin tonë. Por, asnjëherë nuk i është përgjigjur askush thirrjeve të mia”.
Ai thekson se ka mbajtur shtatë vite burg për raste te montuara nga EULEX. “EULEX kanë tentuar me çdo kusht me më bë vegël dhe i kanë hyrë procesit, por nuk ia kanë arritur”.
Geci shprehet i bindur që EULEX-i ka dorëzuar dosjet e rasteve autoriteteve të prokurorisë serbe.
“Sapo ka përfunduar gjykimi im ish-prokurori Maurizio Salustro ka shkuar në Beograd – çka do më thënë kjo, pse shkoi atje? Dëshmitë që i ka dërguar ai atje me dëshmitarë të rrejshëm, i kanë përpunuar me prokurorë të Serbisë”, ka shtuar Geci.
Edh ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku, që ishte njëri nga “peshqit e mëdhenj” për EULEX-in, theksoi për AP se ”të gjitha këto që kanë ndodhur në Kosovë, edhe nga gjykata e UNMIK-ut, edhe nga gjykata e EULEX-it, por edhe nga Gjykata e Hagës, janë politike. Pra, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare po do ta balancojë luftën e UÇK-së me atë të Serbisë”.
Sipas tij, “ndërkombëtarët për të qëndruar në Kosovë, është dashur të shpifin dhe shpikin të tilla akuza, gjë që edhe kanë bërë në Kosovë”.
Të hënën, ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons, ka raportuar para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Ai ka thënë se rasti i Drenicës, Kleçkës dhe disa të tjera janë veprime të turpshme. Simmons përmes një video-lidhjeje ka folur për skandalet e EULEX-it në Kosovë, përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave dhe ndikimet te dëshmitarët.
“Misioni synon largimin nga jeta politike personat që ai iu referohej si ‘peshqit e mëdhenj’. Gjatë asaj bisede më është thënë: pres të shoh gjykatësit e EULEX të dënojnë të akuzuarit nga misioni. Më është bërë e qartë se suksesi do të matej me numrin e dënimeve. Nëse ju vendosni të hapni një hetim të plotë, unë dua t’ju ofroj detaje të plota të rasteve kur ka pasur ndërhyrje në hetime”, ka thënë Simmons.
Por, zyra për media e EULEX-it i ka quajtur të pavërteta dhe të pabazuara pretendimet ish-kryetarit të Gjyqtarëve të EULEX-it në Kosovë, Malcolm Simmons, për rastet “Drenica dhe “Kleçka”, si dhe pretendimet se EULEX-i ua dorëzoi dosjet e rasteve autoriteteve të prokurorisë serbe.
“Pretendimet e Simmons për rastin “Kleçka” kundërshtohen nga realiteti. Ai pretendon se një gjyqtar i tha atij se vendi i tij i punës mund të rrezikohej nëse të pandehurit nuk dënoheshin. Megjithatë, pasi që trupi gjykues, i kryesuar nga Simmons, i liroi nga akuza të pandehurit në shtator 2013, Simmons jo vetëm që nuk e humbi punën e tij, por vazhdoi tutje duke u emëruar Kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it një vit më vonë”, thuhej në reagimin e EULEX-it.
“Ne e përsërisim se EULEX-i kurrë nuk u ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës autoriteteve të prokurorisë serbe, as nuk ka hequr dorë nga autoriteti mbi dosjet dhe rastet hetimore. Ne i kërkojmë Simmons që t’i identifikojë të gjitha rastet që ai pretendon se Misioni ua dorëzoi autoriteteve serbe”.
Gjykatësi, Malcolm Simmons, shërbeu si gjyqtar ndërkombëtar nga viti 2004 në 2017, duke dëgjuar çështje të krimit të luftës dhe krimit të rëndë dhe të organizuar. Ai kryesoi në disa prej rasteve më të ndërlikuara të krimit të luftës dhe krimit të organizuar në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë gjatë periudhave të tyre të trazuara të pasluftës.