Opozita e fajëson kryeministrin, por bëhet bashkë me pushtetin kundër kushteve të Listës Serbe

Në prag të takimit të kryeministrit Albin Kurti me emisarët e BE-së e SHBA-së, partitë opozitare e kanë fajësuar Qeverinë për degradim të sovranitetit të Kosovës në veri me, siç thanë ata, moskoordinimin me aleatët ndërkombëtarë dhe me eksperimente. E kushti i Listës Serbe për kthim në institucione, pushtet e opozitë e kanë quajtur të papranueshëm

Partitë opozitare në Kuvend e kanë akuzuar kryeministrin Albin Kurti për degradim të gjendjes së sigurisë në veri, për moskoordinim me aleatët, si dhe për eksperimente të dështuara.

Pas mbledhjes së Kryesisë, të hënën, zyrtarë të këtyre partive dhe të asaj në pushtet, e vlerësuan të papranueshëm kushtin e Listës Serbe për kthim në institucione.

“Veriu i Kosovës, po lëviz, duke shtuar praninë e madhe të KFOR-it, duke shtuar praninë e madhe të organizatave ndërkombëtare. Duke i parë qëndrimet çdo ditë të UNMIK-ut, i cili, ju e dini që s’ka folur në Kosovë, po lëviz drejt vendosjes së një lloj protektorati, i cili po funksionon në terren”, ka theksuar nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj.

E bashkëpartikau i tij Abelard Tahiri, ka deklaruar se Kurti ka reduktuar sovranitetin e shtetit të Kosovës në oborret e katër komunave.

“Policia është duke siguruar rend dhe ligj. Pika 7 e marrëveshjes do ta kalojë rendin tonë kushtetues, por presim të shohim në të ardhmen. Qëndrimi i PDK-së është që të kemi angazhim të përbashkët me SHBA-në…Njësia speciale s’ka shkuar në Serbi, as në Nish, as në Kralevë. Ata kanë shkuar në territor të Republikës së Kosovës dhe duhet të jenë gjithmonë aty kur të jetë e nevojshme, kur të jetë e arsyeshme, kur nuk mund të realizohet një kërkesë e qytetarëve siç nuk po mund të realizohet”, është shprehur Tahiri
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e akuzoi kryeministrin se po i bën dëm shtetit, me atë që e quajti eksperiment në veri.

“Ne jemi të vetmit që kemi dalë në foltore dhe i kemi thënë, z. kryeministër, mos hyn në zgjedhje se je duke hyrë në një eksperiment që nuk mund t’i dalësh në krye dhe ndodhi ajo që u tha: tash a duhet kryeministri dhe Qeveria, kabineti qeveritar që nga xhepi i vet të të paguajë për zgjedhjet në veri? Pra, ka qenë një eksperiment që nuk i ka sjellë asgjë të mirë Kosovës, veçse e ka dëmtuar si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar”, ka thekuar Tahiri.

“Policia, Njësia Speciale do të jetë aty dhe mbetet në pozicionet qoftë në veri ose në jug apo kudo në Kosovë në situatat kur ka kërcënim të sigurisë apo kur ka nevojë për prezencën e tyre. Ne nuk e kemi Njësinë Speciale vetëm sa të jenë aty, por mbetet në pozicione kur ka shkallë të rrezikshmërisë”, ka deklaruar shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Në veri, tash e 10 ditë po protestohet nga serbët për shkak të futjes së kryetarëve të zgjedhur dhe të policisë në objektet komunale.

Në mbledhjen e Kryesisë u caktuan edhe tri seanca për këtë javë, një të mërkurën e dy të enjten.

Në këtë mbledhje po ashtu iu shpreh mirënjohje për punën e tij sekretarit të Kuvendit, Ismet Krasniqi, që është në prag të pensionimit. Pozita e tij pritet të plotësohet me ushtrues detyre deri në emërimin e sekretarit të ri.

Leave a Comment

Your email address will not be published.