Osmani Borrellit: Ofrimi i informatave për personat e zhdukur me dhunë nga ana e Serbisë duhet të trajtohet shumë seriozisht

Gjatë qëndrimit në Turqi, në margjinat e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, Presidentja Vjosa Osmani u takua me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, me të cilin bisedoi për raportet Kosovë-BE si dhe për dialogun me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja.

Osmani citohet të ketë thënë se lidershipi i ri i vendit ka prioritet reformat e nevojshme për ta çuar përpara procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian dhe në NATO.

“Ne kemi treguar gatishmëri të marrim pjesë në dialog, por në një proces të përgatitur mirë, i cili do të rezultojë me marrëveshje përfundimtare për njohjen e ndërsjellë dhe do ta respektojë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Në njoftimin e ZPRK-së thuhet se Osmani ka potencuar se “faza e re e dialogut, në të cilën po hyjmë duhet të udhëhiqet nga parimi i trajtimit të barabartë të palëve dhe të sigurojë se do t’i përfshijë çështjet të cilat janë në interes të qytetarëve tanë”.

Sipas saj, “ofrimi i informatave për personat e zhdukur me dhunë nga ana e Serbisë duhet të trajtohet shumë seriozisht, edhe për të treguar përkushtimin e shtetit serb ndaj synimeve të dialogut”.

Leave a Comment

Your email address will not be published.