Pacientët blejnë oksigjen nga kompani të palicencuara

Problemet me furnizimin dhe sigurimin e sasive të nevojshme të oksigjenit nga institucionet shëndetësore publike kanë shtyrë familjarë të pacientëve që ditëve të fundit ta blejnë atë nga kompani të palicencuara në Kosovë.

 

Në dy prej faturave që ka siguruar KOHA, shihet se një qytetar ka blerë një bombol të oksigjenit në vlerë 215 euro e një tjetër gjithashtu me 135 euro.

Por, kompania prej së cilës ky qytetar ka blerë këtë bombol të oksigjenit nuk është e licencuar në Kosovë për importin e gazit mjekësor. Kompania “Ada Gas” në Gjilan, është një pompë e benzinës, por në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve figuron se ajo përveçse merret me tregtinë e lëndëve djegëse, merret edhe me prodhimin e gazit industrial.

Kompania përmes telefonit ka pranuar se shet oksigjen, ndonëse nuk janë të licencuar për këtë lloj të gazit.

“215 euro kushton me pajisje me bocë komplet kurdo që e kthen 150 të kthehen. 15 veç mbushja e bocës. Krejt njerëzit janë duke e marrë qet oksigjen. Jo s’jemi në mesin e kompanive, jemi duke ua kryer këtë shërbim njerëzve, e marrim prej Maqedonisë”, ka thënë njëri prej personave në numrin zyrtar të kësaj kompanie.

KOHA ka qëndruar te kompania “Ada Gas” në Gjilan, por zyrtarë të kësaj kompanie nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.

Për këtë kompani, përgjigje nuk kanë kthyer as nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), derisa “Ada Gas”, nuk gjendet në listën e kompanive të licencuara nga AKPPM-ja të cilat kanë autorizim marketingu për oksigjen.

E njëjta kompani gjatë këtij viti kishte lidhur kontratë me Spitalin e Gjilanit, e po ashtu kishte fituar tender në QKMF në Kamenicë, por që të dyja procedurat ishin anuluar pas raportimit të KOHËS.

Në vitin 2017, në SHSKUK dyshohet se katër persona kanë vdekur si pasojë e oksidulit të palicencuar nga AKPPM-ja. Dyshohet se furnizimi me gaz mjekësor ishte bërë nga një kompani që merrej me prodhimin e gazit industrial.

Javën e kaluar, KOHA raportoi se si stafi i Spitalit të Gjilanit ishte angazhuar për të siguruar oksigjen, derisa pacientëve u ishte thënë se vetëm edhe për disa orë kishin sasi të oksigjenit. Kjo kishte shtyrë familjarët që të siguronin oksigjenin përmes rrugëve të tjera. KOHA ka kërkuar përgjigje nga SHSKUK-ja lidhur me situatën dhe furnizimet me oksigjen, por nuk ka marrë përgjigje./ KTV

Leave a Comment

Your email address will not be published.