Kreu i Kishës katolike të Romës, papa Françesku sot e vazhdon vizitën dyditore në Bullgari me vizitë në qendrën e pranimit të refugjatëve “Vrazhdebna” në periferi të Sofjes.
Gjatë qëndrimit në kamp, papa do të ketë takim me drejtorin e tij, me përfaqësuesin e organizatës humanitare “Karitas” dhe me një pjesë të vullnetarëve që u ndihmojnë refugjatëve, ndërsa do të takohet edhe me fëmijë të akomoduar në qendër.
Pas vizitës në kamp, papa do të udhëtojë për në qytetin Rakovski, që ndodhet në afërsi të Pllovdivit, ku do të mbahet meshë në kishën katolike “Zemra e shenjtë”, pas së cilës do të takohet me përfaqësues të komunitetit lokal katolik.
Pjesën zyrtare të vizitës në Bullgari, papa Françesku do ta përfundojë me lutje për paqe në sheshin “Pavarësia” në Sofje, në të cilin do të marrin pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve tjera fetare në vend.
Nesër nga Sofja do të udhëtojë për në Shkup, ku do të ketë takime me përfaqësues të autoriteteve vendase, të sektorit joqeveritar dhe të korit diplomatik, do ta vizitojë shtëpinë memoriale të Nënës Terezë, do të mbajë meshë të shenjtë në sheshin qendror të qytetit “Maqedonia” dhe do të ketë takim ekumenik dhe ndërfetar me persona të rinj nga komunitete të ndryshme fetare.
Ndërkaq, përmes Sofjes mund të shihen bilborde, në të cilat paralajmërohet qëndrimi dyditor i papës në vend në kuadër të vizitës së tij apostolike në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut. Në bilborde ka fotografi të papës Françesku, motive fetare apo mesazhe rasti.