Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka thirrur të gjithë ministrant e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian për të diskutuar se çdo të bëhet me dialogun Serbi-Kosovë dhe të ashtuquajturën ‘Non- Paper’, që po cilësohet gjithnjë e më shumë si ‘Kutia e Pandorës’.
Siç bën të ditur gazeta kroate ‘Jutarnjih List’, duke ju referuar burimeve në Bruksel, krerët e diplomacisë së Bashkimit Evropian do të zhvillojnë një diskutim strategjik në kryeqytetin europian mbi një angazhim më të fortë politik të BE-së me partnerët në Ballkanin Perëndimor.
Dokumenti përgatitor për sesionin e sotëm ministror të BE thotë se do të konsiderohet se si “të formohet një e ardhme e përbashkët brenda Bashkimit Evropian përmes veprimeve urgjente dhe të përbashkëta”, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
Sipas një zyrtari të lartë të BE, që ka folur për gazetën kroate, Josep Borrell do t’u paraqesë ministrave një “non-paper”, e cila thotë se qëllimi i qartë i Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi i plotë në BE dhe çdo sugjerim për një rrugë tjetër do të ketë pasoja të rënda”. Pra duket qartë se flitet që të mos joshen apo afrohen nga ‘mina me sahat’ e ndryshimit të kufijve.
Zyrtari anonim që foli për ‘Jutarnih List’, thekson se ministrat donin të përcaktonin se si të rrisnin bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor “për hir të stabilitetit dhe sigurisë në vetë BE dhe Bashkimi Europian mund të jetë i sigurt vetëm nëse Ballkani Perëndimor është i qetë dhe pa probleme mes shteteve”.
Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian do ta diskutojnë këtë çështje edhe të martën kur të takohen në formatin “Çështje të Përgjithshme”.
Vendimi final pritet të merret nga Samiti i Krerëve të shteteve dhe qeverive të BE që mbahet në qershor. Ndërkaq mediat serbe po elaborojnë vazhdimisht dy dokumentet e dala sipas formateve “Non Paper”.
Zoran Milivojeviç, një ish-diplomat i njohur serb thekson për ‘Sputnik’ se ‘Non Paper’-at janë një provokacion për Beogradin, që Serbia të bjerë në grackën e kufijve.
“Nga deklarata e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të G7 se ndryshimi i kufijve përgjatë vijave etnike nuk është një zgjidhje për Ballkanin, është e qartë se të gjithë “non paper”-at, janë një produkt i Perëndimit për të vënë në provë Serbinë, thekson Milivojeviç.
Sipas diplomatit serb, hapja e çështjeve të kufijve në dialogun Serbi -Kosovë, do të kishte një efekt ‘domino’ për të gjithë Ballkanin.
Albin Kurti ka qenë i prerë në këtë pikë dhe nuk dëshiron as të flitet për këtë çështje, çka është edhe një lehtësim edhe për të gjithë vendet që rrezikohen nga një proces i tillë. Duke nisur që nga Bosnja e deri tek Mali i Zi e Maqedonia e Veriut. Një efekt ‘domino’ për rishikim kufijsh thjesht mund të shërbejë si një ndezje e një rruge baruti të shtruar më parë…
Pak ditë më parë, në samitin e G7-s, Ministrat e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Kanadasë dhe Japonisë ripohuan angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë, rimëkëmbjen ekonomike dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor si investime kryesore për paqen dhe stabilitetin. Ata gjithashtu i bënë thirrje Beogradit dhe Prishtinës të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në negociatat e dialogut me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe të normalizojnë plotësisht marrëdhëniet përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme që do të kontribuojë në stabilitetin rajonal.