Përfaqësues politikë të komunitetit shqiptar e boshnjak në Parlamentin serb janë takuar këtë të premte me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill.
Deputetët boshnjakë, Enis Imamovic, Selma Kucevic dhe deputeti i vetëm shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, kanë biseduar me ambasadorin Hill rreth zhvillimeve politike rajonale dhe të drejtat e pakicave që ata përfaqësojnë.
Lajmin për takimin dhe temat e diskutimit i ka bërë të ditura deputeti Kamberi, teksa ka thënë se SHBA-ja mbetet nxitësi kryesor i demokratizimit të rajonit.
“Në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me E.T. Christopher R. Hill për të biseduar rreth zhvillimeve politike rajonale dhe të drejtat e pakicave që përfaqësojmë. SHBA mbetet nxitësi kryesor i demokratizimit të rajonit”, ka shkruar ai në Facebook.