Për ata që nuk e kanë kuptuar mirë situatën: çdo qytetar i Kosovës që të kalojë në Serbi duhet të paguajë e të pajiset me një targë të përkohshme që nuk është KS. Qeveria e Kosovës nuk bëri asnjë gjë tjetër veçse zbatoi të njëjtën masë, e cila është edhe pjesë e marrëveshjeve të shkuara mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
Deri tani mund të thuhet lirshëm se Albin Kurti është treguar dinak në vendimin për targat. E ka gjetur të papërgatitur Aleksandër Vuçiçin, ka marrë një vendim që në fund të fundit është krejt logjik, e ja ka dalë t’i tregojë dhëmbët njerëzve të Beogradit, jo vetëm në Merdare ç’ka ishte e pritshme, por edhe në Jarinje, e cila është një zonë që gjithmonë është administruar më shumë nga serbët. Video e shpërndarë nga media serbe e Kosovës është epike; shefi i ROSU-t, njësisë elitë të policisë së Kosovës që bën sikur nuk di serbisht e flet vetëm shqip, me një qetësi olimpike u thotë kamionistëve: veç e lironi rrugën, me protestu, protestoni po kthehuni mbrapa, e për sa e bani këtë punë? Gjys ore? U kry!
Ai komandant i Rosut ngjan identik me gjeneralin gjerman në Prizren në qershorin e 1999, kur i urdhëroi paramilitarët e Sheshelit që të largohen për 30 minuta.
Kamionistët, nuk ishin aspak të tillë, ishin në fakt paramilitarë të paguar, e nëse shikon fotot, aty ke djem të rinj të fuqishëm që rrinë me krahë kryqëzuar që bëjnë foto e video. Janë trupa të policive serbe që kanë letra të Kosovës, të dërguar urgjentisht nga Vuçiçi në Jarinje. Nuk ja dolën të dështojnë vendimin e qeverisë së Kosovës.
Kjo, mirë si pasojë e vendimit të qeverisë së Albin Kurtit, por më e rëndësishme falë ROSU-it, e cila për të dytën herë e tregoi veten se është realisht njësia elitë që siguron sovranitetin e Republikës së Kosovës. E bënë njëherë në janarin e vitit 2017 me trenin rus, dhe sot për herë të dytë.
Gjithsesi, meritën e ka Albin Kurti për këtë vendim. Për ata që nuk e kanë kuptuar mirë situatën: çdo qytetar i Kosovës që të kalojë në Serbi duhet të paguajë e të pajiset me një targë të përkohshme që nuk është KS. Qeveria e Kosovës nuk bëri asnjë gjë tjetër veçse zbatoi të njëjtën masë, e cila është edhe pjesë e marrëveshjeve të shkuara mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
Megjithatë, i gjithë problemi është çfarë do të ndodhë nesër.
Nuk mundet që pas këtij vendimi, Albin Kurti të lërë mundësi që Vuçiç të kalojë në kundërofensivë, të bëjë viktimën, e të krijojë një incident të radhës që të bllokojë procesin.
Nëse do ta bllokojë procesin, le ta bëjë, por duhet që tani kartën në dorë ta ketë Prishtina, e jo Beogradi.
E në këtë rast kartat kryesore që Albin Kurti ka në dorë, janë pasoshat e Serbisë që zotërohen nga qindra mijëra shqiptarë të Kosovës. Duhet të zerohen, të mos ekzistojnë, të digjen, jo në një zjarr publik larg qoftë, por në një proces që Prishtina t’i kërkojë Beogradit se nuk mund të vijojë të joshë më kosovarë me pasaporta serbe.
E akti i tretë duhet të jetë vendosja e një rregulli për tregtinë e lirë. Serbia sot Kosovën e ka parajsën tregtare, OK.
Por duhet që për këtë gjë, Serbia të paguajë, ndryshe duhet të ketë reciprocitet; sa mallra çojnë kosovarët në Serbi, aq edhe serbët në Kosovë.
Vendimi që mori Kurti dje, nuk duhet ta vendosë qeverinë as në gjumë as në ekstazë, por të prodhojnë të paktën edhe dy vendime të tjera. Që nesër…/Pamfleti