Rezultatet preliminare në zgjedhjet e parakohshme për kryetar komunash në pjesën veriore të Kosovës kanë përfunduar, ndërsa PDK dhe VV janë ndarë baraz me fitore.
Sipas rezultateve preliminare të siguruara nga qendrat e votimit, partia më e madhe opozitare, PDK ka fituar Komunën e Zveçanit dhe atë të Zubin Potokut.
Sipas rezultateve në siguruara në Zubin Potok, PDK ka marrë 196 vota ndërsa VV ka marrë 180 vota.
Ndërsa në Zveçan, PDK ka marrë 114 vota dhe VV 73 vota.
Serbët që përbëjnë shumicën e popullatës në atë pjesë të vendit, duket se kanë vendosur ta dëgjojnë Beogradin duke mos marrë pjesë në votim.
Në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave.
Që në mëngjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se sipas planit ishte bërë shpërndarja e materialit zgjedhor “në bashkëpunim dhe me përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Qendrat e votimit u hapën, por që në fillim u vërejt interesimi tepër i ulët i qytetarëve për të votuar. Vetëm dhjetëra votues në veri i janë përgjigjur thirrjes së institucioneve të Kosovës për të votuar.
Policia e Kosovës ishte bërë planifikimet e saj operacionale për këtë ditë dhe tha se po ndërmerr të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për të ofruar siguri për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
“Zbatimi i planit operativ është duke u realizuar konform fazave të parapara me qëllim të krijimit të një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës gjatë procesit të votimit sot, siç e quajmë në ditën (z), ku janë angazhuar zyrtarë policorë në numër të mjaftueshëm”, njoftoi Policia.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se të hënën do të ketë konkludim për zgjedhjet.
Westerlund ka theksuar se do të donte që situata në veri të Kosovës të ishte më ndryshe.
“Kjo është hera e parë që Lista Serbe i bojkoton zgjedhjet. Lista Serbe ka marrë pjesë tetë herë në zgjedhje, por për fat të keq nuk po merr pjesë kësaj radhe. Mirëpo, sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhjet duhet të mbahen dhe ky është vendimi i presidentes”, tha Westerlund, shkruan Kosovo-Online.