Sipas raportimit të mediave, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) së shpejti do të nisë negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje dhe minoritet për rrëzimin e qeverisë Hoti. Kjo gatishmëri e tyre vjen pas shkarkimeve të fundit të ‘vulosura’ nga kryeministri Avdullah Hoti.
“ATK kishte nisur hetimet për disa zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), situatë kjo e cila nuk u pëlqeu fare këtyre të fundit. Si rezultat i këtyre hetimeve, gjatë ditës së djeshme, kryeministri Hoti shkarkoi të parin e ATK-së, Ilir Murtezaj.
Kjo, situatë e pakëndshme, ka shtyrë PDK-në, VV-në dhe minoritetet të bëhen bashkë për rrëzimin e qeverisë aktuale, të cilët vazhdimisht kanë kritikuar për perfomancë jo të mirë. Posedojmë emrat e zyrtarëve të LDK-së, për të cilët ATK kishte nisur hetimet, por për të mos ndikuar përgjatë hetimeve, emrat nuk do të bëhen publik deri në një fazë tjetër” shkruan Indeksonline.
Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti dje mori tre vendime për shkarkimin e krerëve të tre institucioneve tejet të rëndësishme. Hoti shkarkoi për shkak të performancës kreun e Policisë së Kosovës Rashit Qalajn, i cili në këtë pozicion erdhi kur ekzekutivi ishte në drejtimin e PDK-AAK dhe NISMA-s, raporton Gazeta Express. Në vend të Qalajt ai ka emëruar Samedin Mehmetin i cili ka qenë zëvendësdrejtor i PK’së.
Hoti shkarkoi gjithashtu edhe drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezajn, i cili njëjtë sikurse Qalaj ishte emëruar gjatë qeverisjes së PAN-it. Njeriu i tretë që u shkarkua dje nga Hoti ishte shefi i Doganave, Ibrahim Xhaka i cili ishte emëruar gjatë kohës kur Albin Kurti ishte kryeministër i Kosovës.