Dega në Prishtinë e institutit gjerman “Friedrisch Ebert Stiftung” (FES) e ka konfirmuar se tashmë kanë përfunduar hartimin e një drafti të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Zëdhënësi i FES-it në Prishtinë, Rene Schlee, ka konfirmuar për Expressin se puna për hartimin e draftit për Asociacionin ka përfunduar dhe se gjatë kësaj jave do të vendosin se kur do të mbahet një organizim publik për prezantimin e atij drafti për Asociacionin.
“Ne kemi përfunduar hartimin e statutit. Ne do të mblidhemi këtë javë për të diskutuar se kur të organizojmë një prezantim publik, në të cilin natyrisht jeni të ftuar përzemërsisht”, ka thënë Schlee.
Aktualisht presioni ndërkombëtar drejt Kosovës për themelimin e Asociacionit është shumë i madh. Ditë më parë ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka thënë se marrëveshja për Asociacionin duhet të implementohet pa humbur kohë.
Rohde vitin e kaluar kishte thënë se Kosova s’mund të thotë vetëm jo për Asociacionin, por duhet edhe të vendosë ndonjë propozim në tavolinë.
Kujtojmë se më herët në media ishte publikuar një draft/dokument për Asociacionin dhe ishte thënë se vinte nga zyra e FES-it në Beograd. Një gjë e tillë ishte demantuar dhe ishte sqaruar se drafti i publikuar ishte i FES-it në Kosovë, ndërkohë ishte shtuar se FES-i në Prishtinë po punonte në hartimin e një drafti të ri.