Përfundon seanca e Gjykatës Kushtetuese për votën e Etem Arifit, vendimi “në ditët në vijim”

Pas më shumë se katër orëve, ka përfunduar seanca dëgjimore e Gjykatës Kushtetuese për votën diskutabile të deputetit Etem Arifi ndaj qeverisë Hoti në Kuvendin e Kosovës. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë dëgjuar argumentet e palëve të përfshira në këtë çështje. Më 3 qershor, vota për qeverinë e Kosovës nga Etem Arifi po kontestohet nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosjeje, që në këtë rast u përfaqësua nga Blerim Sallahu.

Kryetaren e Kuvendit të Kosovës e përfaqësoi, Artan Murati, Qeverinë e Kosovës, avokati Besnik Berisha, KQZ-në, kryetarja Valdete Daka, Komisionin për Legjislacion, Shkamb Manaj dhe Këshillin Gjyqësor, Astrit Hoti.

Në fund të seancës, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama- Hajrizi, njoftoi palët se të gjitha argumentet e prezantuara sot, gjatë seancës, mund të dërgohen edhe të shkruara në formë të përmbledhur.

“Tash Gjykata Kushtetuese do të tërhiqet dhe në ditët në vijim do të mblidhet në seancën për këshillim dhe votim kur edhe do të vendosë çështjen”, tha Rama- Hajrizi

“Këto argumente, që janë prezantuar sot, mund të dërgohen deri më 7 dhjetor me shkrim”, tha ajo.

Deputetit që votoi rrëzimin e Kurtit po i ec rroga edhe në burg

Bënë pjesë në atë që njihet si  “tempulli i demokracisë”. Por, gati që gjashtë muaj, Etem Arifi nuk shkoi asnjëherë në Kuvend të Kosovës. Për pak kohë, ai iu shmang vuajtjes së dënimit me burg të cilin ia konfirmoi Gjykata e Apelit, e më pastaj u dorëzua vetë.

Deputeti nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim edhe pse nuk shkoi asnjëherë në seancat e legjislativit mori pagën si të gjithë deputetet e tjerë të legjislaturës së shtatë.

Paga bazë e një deputeti të Kuvendit të Kosovës  është 1 mijë e 547 euro. Kjo i bie se, për gati gjashtë muaj, Etem Arifi i kushtoi kuletës së shtetit plotë 9 mijë e 282 euro pagë pa shkuar fare në vendin e punës.

Se paga nuk iu ndërpre deputetit të dënuar me burg prej një viti e tre muajsh nga Gjykata e shkallës së dytë, për KALLXO.com e konfirmuan edhe nga Kuvendi i Kosovës.

Sot, pas gati gjashtë muajsh u diskutua për votën e Etem Arfiit, i cili votoi pro Qeverisë të cilës i prin Avdullah Hoti. Në fakt, vota tij e rrëzoi paraprakisht një qeveri të cilën e drejtonte Albin Kurti.

Së shpejti, Gjykata Kushtetuese do të jep një përgjigje ndaj ankesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo parti po e konteston votën dhe mandatin e Arifit pasi ai ishte dënuar me vendim përfundimtar nga Gjykata e Apelit.

Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, akuzohen për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Më tej, në aktakuzë thuhej se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.

I akuzuari Etem Arifi ka ushtruar ndikim te zyrtarët  për dhënien e subvencioneve

Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar, deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor ‎2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij, OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove. Prokuroria pretendon se këto të holla të akuzuarit i kanë përvetësuar për vete.Me këtë, dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale mashtrim në subvencione në bashkëkryerje.

Leave a Comment

Your email address will not be published.