Shqiptarët ndër shekuj nuk janë kujdesur që kujtesën historike ta ruajnë dhe ta përdorin si argument para ndërkombëtarëve për shtet ndërtimin, shtoi Asani, duke theksuar se për të mos humbur historia e dhimbshme e Kosovës do të hapet një Qendrën Përkujtimore e Eksodit “Bllaca 1999”
Delvina KËRLUKU
Shkup, 5 prill – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup mbajti tribunën e organizuar me rastin e 20-vjetorit të eksodit masiv të shqiptarëve nga Kosova. Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998/99, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat ushtarake e policore serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni dhe vende të tjera. Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.
Eksodi, apo dëbimi i shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë, u tha në këtë tribunë, udhëhequr nga historiani Sevdail Demiri.
Skënder Asani, drejtor i ITSHKSH- së , përmendi ngjarjet historike të shqiptarëve që kanë ndodhë gjatë shek. XIX deri në vitin 1999, shpërnguljet nga trojet e tyre.
“Pas Luftës së II Botërore, mendohej se filloi një erë e re edhe për shqiptarët, por nuk ndodhi ashtu. Në trevat shqiptare nga viti 1945 – 1999 ne kemi mbi 1 milion shqiptar të shpërngulur nga trevat e tyre etnike, po ashtu kemi me mijëra të vrarë dhe të burgosur, të cilët nuk pajtoheshin me regjimet e atëhershme. Viti 1999 ishte vazhdimi i strategjive famëkeqe të serbëve ndaj shqiptarëve. Intervenimi i NATO-s, ishte një veprim humanitar, sepse bota e kuptoi se po ndodh një gjenocid i ngjashëm si në Bosnjë Hercegovinë”, tha Asani.
Shqiptarët ndër shekuj nuk janë kujdesur që kujtesën historike ta ruajnë dhe ta përdorin si argument para ndërkombëtarëve për shtet ndërtimin, shtoi Asani, duke theksuar se për të mos humbur historia e dhimbshme e Kosovës do të hapet një Qendrën Përkujtimore e Eksodit “Bllaca 1999″, në Shkup.
Jahja Lluka, kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve nga Trojet e Veta në Prishtinë tha se lufta në Kosovë ka qenë vazhdim i projektit të Garshaninit, kurse planet e serbëve dhe bëmat e shqiptarëve nuk duhet të harrohen dhe brezi i ri duhet të ndërgjegjësohet mbi historinë tragjike të shqiptarëve. Tani është ndërmarrë një iniciativë bashkë me qeverinë e Kosovës për ngritjen e një muzeut në Shkup. “Qeveria e Kosovë ka marrë një vendim të tillë dhe ka nda një buxhet, që besoj në bashkëpunim me qeverinë e shtetit tuaj, ku edhe kanë shtri dorën e bashkëpunimit ministritë e Arsimit të dy shteteve, për hapjen e qendrës së gjenocidit”, tha Lluka.
Sekretari gjeneral i Kryqi i Kuq, Sait Saiti tha se kjo organizatë ka pasur një rol të rëndësishëm në ndihmesën e refugjatëve të Kosovës.
“Kriza e madhe filloi që nga viti 1998 dhe prej muajit gusht deri në fund të vitit, janë evidentuar diku 800 persona, gra dhe fëmijë. Fluksi më i madh vjen në fillim të vitit 1999, me 440.000 persona. Ndërsa nga statistikat tona del që në atë kohë, nga Kosova, janë largua rreth 920.000 persona. Nga numri i përgjithshëm, vetëm 60 për qind janë vendosur nëpër familjet shqiptare, pjesa tjetër është vendosur në kampe, si kampi i Stenkovecit, Çegranit dhe Bojanës, nëpër qendra, institucione të ndryshme të vendit. Nga anëtarët e humbur të familjeve, janë dërguar 6.946 porosi në Kryq të Kuq të Maqedonisë”, tha Saiti.
Zeqirja Ibrahimi, bashkëpunëtor i lartë shkencor në ITSHKSH, tha se lufta në Kosovë ka pasur për qëllim spastrimin etnik, por kjo luftë triumfoi për shqiptarët dhe brezat e rinj duhet të vetëdijesohen të mos e harrojnë kurrë historinë e dhimbshme të kombit të vet.
Ndryshe, të dhënat flasin se 20.000 gra shqiptare kanë qenë të përdhunuara. 2467 persona janë zhdukur, ndërsa në Maqedoni 120 persona janë akoma pa status të zgjedhur. /Koha