PËRLESHJE FIZIKE NË PARLAMENTIN E KOSOVËS

Në kohën kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po fliste në foltoren e Kuvendit të enjten për situatën në veri dhe marrëveshjen me Bashkimin Evropian për de-eskalimin e situatës, një përleshje fizike ndodhi mes deputetëve të PDK-së dhe ministrave të qeverisë Kurti.

Krejt kjo erdhi pas kritikave, akuzave për përfshirjen e shefes së LVV-së në audio-incizime me Sllavko Simiq nga Lista Serbe.
Gjithçka ka filluar pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e hoqi foton e Kurtit që ishte vendosur nga opozita te pankarta “Zdravo”.Deputeti i PDK’së, Mërgim Lushtaku e gjuajti pastaj me ujë kryeministrin Albin Kurti, derisa ai po mbante fjalim në foltore.

Pas kësaj zëvendëskryeministri Bislimi shihet duke e gjuajtur me shishe Lushtakun, ku afrohen Ministri Hekuran Murati dhe Ministrja Albulena Haxhiu.

Lushtaku shihet duke i shtyrë të dy dhe pastaj afrohet edhe deputeti tjetër i PDK’së. Hajdar Beqa, e ka sulmuar Besnik Bislimin duke e goditur dy her me grushta.

Aty ndërhyjnë edhe sigurimi. Kryeparlamentari Glauk Konjufca më pas e thirri Policinë e Kosovës.

Pacolli: Opozita sulmoi Kurtin kur po fliste për arrestimin e kriminelëve serbë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, pas rrahjes në Kuvendin e Kosovës ka thënë se sulmi ndodhi kur kryeministri Albin Kurti po fliste për shtrirjen e sovranitetit në veri.

Pacolli në një postim në Facebook ka shkruar se ky fjalim i Kurtit i pengoi opozitës, ndërsa shkroi se krimi e korrupsioni në veri nuk kalon më.

“Kryeministri po tregonte për shtrirjen e sovranitetit dhe kontrollit në veri, për stacionet e reja të policisë, për arrestimin e kriminelëve serb dhe luftimin e krimit të organizuar POR kjo siç u pa po i pengon opozitës prandaj sulmuan. Krimi e korrupsioni në veri më nuk kalon”, ka shkruar Pacolli.


Cakolli (KDI): Me ngjarjen në Kuvend sot Kosova u bë gaz i botës

Pas pamjeve që sot kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës sipas Eugen Cakolli nga KDI Kosova është bërë gaz i botës.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se qytetarët e vendit nuk e meritojnë një gjë të tillë.

“Ata deputetë e anëtarë të ekzekutivit që me dhunë ose provokime i zgjidhin mospajtimet, s’i meritojnë ato mandate e ato pozita”.


PDK dënon ashpër sulmin e zëvendëskryeministrit Bislimi ndaj deputetëve të PDK-së

Partia Demokratike ka dënuar sulmin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi ndaj deputetëve të PDK-së, ani se deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku ka qenë i pari që e ka sulmuar me shishe Bislimin,

“Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politik shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore.  Madje, ishte pikërisht zëvëndëskryeministri Bislimi i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku”, thuhet në reagimin e PDK-së.

“Në një moment kur Kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejoj atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës.  Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve”, thuhet tutje në reagim.

“Tani, gjithçka është e qartë. Kjo Qeveri, ky kryeministër, ky pushtet, shihet qartë se duke tentuar të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Millan Radojçiqin, po përdorë çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri nuk kanë më kurrfarë kuptimi dhe asnjëlloj kredibiliteti.  Një Qeveri që bashkëpunon me kriminelët serbë, në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, duhet të shkoj në shtëpi një orë e më parë. Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja, nga të cilat, qytetarët me votën e tyre do të zgjedhin një Qeveri kredibile e cila do ta kthej vendin në rrugën e duhur drejt integrimit euro-atlantik”, përfundon reagimi.


Shtohet prezenca e Policisë jashtë sallës së Kuvendit

Jashtë sallës të Kuvendit të Kosovës është shtuar prezenca e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Po ashtu, edhe te shkallët që çojnë në sallën e kuvendit, është pozicionuar sigurimi i kuvendit, të cilët nuk po lejojnë lëvizjen pa përcjellje.

Leave a Comment

Your email address will not be published.