Në përurimin e abetarës së përbashkët shqipe kanë folur dhe ministret e Arsimit, të Kosovës dhe Shqipërisë. Ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci ka thënë se realizimi i marrëveshjes së abetares së përbashkët do të jetë ngjarje historike. Ndërsa, ministrja e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Elvis Kushi, ka thënë se përurimi i abetarës së përbashkët është një ndër punët më të mira që e kanë bërë dy qeveritë
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë, Arbërie Nagavci, ka thënë se realizimi dhe konkretizimi i marrëveshjes për Abetaren e përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë do të jetë ngjarje historike.
“Realizimi i marrëveshjes së Abetares së përbashkët jam e bindur se do të jetë historike, sepse edhe fëmijët e Shqipërisë ashtu si të Kosovës kudo që ata mësojnë do të kenë të njëjtin tekst unik të abetares, që do të jetë baza për suksesin e tyre në të ardhmen”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka thënë se pa themelet e rilindasve dhe atdhetarëve pasues të tyre nuk do të kishim as gjuhën tonë shqipe, as abetaren dhe as nuk do të flisnim siç po flasim lirshëm tani.
Ndërsa, ajo ka treguar përmbajtjen e abetares në ditët e para në shkollë, ku gjashtë kapituj me nga gjashtë shkronja në një abetare, e cila sipas saj është unike.
“Nga vogëlushit e deri tek studentët, nga ky tetor kanë mundësinë që pa asnjë problem të vijojnë mësimet në Universitet e Kosovës apo të Shqipërisë pa asnjë problem e procedurë formale”, ka deklaruar Nagavci.
Sipas saj, kjo marrëveshje është bërë që të lehtësohen të gjitha procedurat, dhe të hiqet çdo kufizim, që çdo e re apo i ri të studiojë pa barriera pa pengesa administrative e burokratike.
Gjithashtu, ajo ka thënë se po punojnë që të investojnë në të mirë të arsimit, së bashku me Qeverinë e Shqipërisë.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Evis Kushi, ka thënë se një ndër punët më të bukura që e kanë bërë është përurimi i abetares së përbashkët shqipe.
“Unë jam shumë e nderuar sot që jam këtu mes jush në këtë ditë që do mbahet mend gjatë në kujtesën tonë”, tha Evis Kushi.
Kushi ka shtuar se në nëntor të vitit të kaluar kur kanë filluar punën për abetaren e përbashkët në Elbasan shumë njerëz ishin skeptik dhe nuk besonin se në një kohë të shkurtër do të realizohej kjo nismë.
Minsitrja e Arsimit dhe Sportit e konsideroi si abetare shumë më cilësore që reflekton më së miri zhvillimet arsimore, kulturore, sociale dhe madje edhe digjitale.
Ajo ka shtuar se kur ka bashkëpunim të mirë, vullnet dhe dashuri asgjë nuk është e pamundur sepse sipas saj, kjo abetare do të fshijë kufinjtë mes dy vendeve.
Botues të Abetarës së përbashkët Kosovë-Shqipëri janë shtëpitë botuese, ‘Dukagjini‘ në Kosovë dhe ‘Pegi’ në Shqipëri.
Kurti: Kombin tonë po e përbashkon kjo Abetare unike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë përurimit të Abetarës së përbashkët Kosovë-Shqipëri, ka thënë se në këtë ditë kombin shqiptar e përbashkon edhe kjo Abetare.
Gjatë fjalimit të tij, kreu i ekzekutivit ka theksuar se fati i shkollës shqipe ka qenë i lidhur ngushtë me fatin e kombit.
Sipas tij, raporti në mes të gjuhës dhe kombit “është historik”, sepse siç thotë Kurti nëpërmjet gjuhës është mësuar në mënyrë të drejtë dashuria për kombin.
“Nga sot fëmijët tanë anembanë viseve të banuara me shqiptarë do ta mësojnë si Abetare e përbashkët dhe unike. Sot kombin tonë e përbashkon edhe kjo Abetare. Një brez i ri shqiptar po fillon rrugën e dijes me Abetaren e përbashkët unike. Kështu po materializohet frymëzimi i trashëguar ndër breza që na ka mbajtur të lidhur gjithmonë”, është shprehur Kurti.
“Vetëm bashkë, krah për krah me njëri-tjetrin mund t’i shtyjmë përpara interesat tona për zhvillim e përparim në çdo fushë. Fëmijëria është koha kur mbjellet edhe dija edhe morali, ngase mbresat e viteve të para të jetës janë të vetmet që koha nuk do të mund t’i zhdukë kurrë”.
“Udha e shkronjave që na solli deri këtu është e gjatë dhe e vështirë, u qoftë e mbarë rruga e diturisë të gjithë juve vajza e djem që do të mësoni ABC nga ky libër me përplot diell brenda fletave të tij”, shtoi ai.
Kurti ka thënë se përbashkimi është i domosodoshëm për të mirën e gjithmbarshme të kombit për ecjen e tij përpara.