Petkoviq reagon pas paralajmërimit për reciprocitet: Kurti po e shkatërron dialogun

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në kuadër të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke shkatërruar dialogun me paralajmërimin se do të vë masën e reciprocitetit karshi Serbisë.

“Çështja e të ashtuquajturit reciprocitetit është në të vërtetë një eufemizëm për ngritjen e barrierave të reja ekonomike ndaj të cilave u ekspozuan serbët në Kosovë e M. dhe Beograd gjatë taksës anti-civilizëm prej 100 për qind. Prandaj për Kurtin do të ishte më mirë që në vend të këtyre paralajmërimeve për hapa të njëanshëm që direkt e shkatërrojnë dialogun, të përkushtohet në përmbushjet e marrëveshjeve të arritura deri më tash, sidomos formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, ka thënë Petkoviq në një komunikatë të lëshuar në faqen e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

Petkoviq po ashtu ka thënë se Kurti duke sulmuar iniciativën e “Ballkanit të Hapur” ka treguar shkurtpamësinë e tij politike dhe ngecjen në të kaluarën.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, në seancën e fundit në Kuvend ka paralajmëruar vendosjen e reciprocitetit me Serbinë.

‘’Sa i përket reciprocitetit, qysh në vitin 2011 e kemi miratuar rezolutën e plotë për reciprocitet politik, ekonomik, tregtar me Serbinë. Këtë princip e kam paraqitur edhe në takimet që i kam pasur Bruksel. Besnik Bislimi ka përgatitur një dokument në mënyrë të thuktë, 11 shkeljet që ia bën Serbia Kosovës në raportin tonë të ndërsjellë dhe këtë gjë ia kemi treguar faktorëve ndërkombëtar dhe po japim kohë, që nga reciprociteti ta zbatojmë. Në 100 ditët e para kemi pasur drejtor të ri të doganave, dhe duhet të përgatitemi maksimalisht që të mos dështojmë më. Nëse ne nuk arrijmë ta zbatojmë plotësisht reciprocitetin, atëherë ai koncept vdes. Jemi të interesuar për zbatim të plotë dhe të saktë të tij. Reciprocitetin s’e kemi për hakmarrje, është një parim i shëndosh midis dy shteteve të cilat do barazohen. Reciprocitetin s’e kemi për të shtuar barriera, por për t’i hequr. Duam ta bëjmë në mënyrë që nuk zhbëhet më. Herën e kaluar e bëmë, gjithçka po shkonte mirë dhe më pas kur u hoq, na u kthye më keq. Do ta bëjmë atëherë kur jemi të përgatitur shpejt’’, deklaroi Kurti.

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.