“Pothuajse të gjithë kato­likët në Serbi janë të origjinës shqiptare”

Përparësia që u iu dha Ballkanit otoman në sistemin shkollor të Propagandës Fide shihet edhe nga statistikat, sepse pesë studentët e parë të pranuar më 12 qershor 1633, që të gjithë vinin nga territori i Ballkanit, nga të cilët i pari ishte Frang Bar­dhi (Francesco Bianchi) i Sappas.

Bardhi ishte një nga figurat e jashtëzakonshme të kulturës shqiptare katolike. Ai ishte një poliglot, leksikograf dhe poet. Bo­toi fjalorin e parë latinisht – shqip dhe vepra të tjera me rëndë­si. Por, pam­fleti i tij prej 75 faqesh, si kundërpërgjigje ndaj veprës së Tomko Mrnaviq për Skënderbeun, është kulmi i një pjekurie dhe ndërgjegjësimi nacional.

Libri i Tomko Mrnaviqit, i botuar në Romë më 1632, ku ai duke falsifikuar gjenealogji pretendonte të madhëronte origjinën e familjes së tij që kinse rridhte nga mbreti serb Vukashini dhe familja e Huniadit, Berislaviq dhe familja “ilire” (sllave) e Kastriotëve, përfshirë Skënderbeun. Pozicio­ni­mi i Mrnaviqit, si një lobues i madhërimit të historisë “ilire”, duke botuar një vepër në Romë, ishte një shuplakë dhe mohim i traditës humaniste (Marin Barleti e të tjerë) dhe traditës po­pu­llore ende të gjallë shqiptare mbi Skënderbeun dhe, ndaj kësaj, Bardhi nuk mundi të rrinte duarkryq.

Bardhi i hyri një vepre interesante derisa ishte duke qëndruar në Itali, ku u emërua ipesh­këv, por veprën e bëri shumë shpejt, ende pa u kthyer në Shqipëri, ku do të merrte postin e ri ipeshkvnor. Veprën ia dedikoi popullit të tij dhe atdheut, duke theksuar në dedikim për lexuesit se ishte i obliguar që të merrte penën e tij kur lideri i pamundur i shqip­tarëve i ishte marrë kombit të tij dhe i ishte dhënë një kombi tjetër.

Polemika për Skënderbeun

Bardhi kontestoi autoritetin e dijen bazike të Mrnaviqit dhe radhiti një varg argumentesh historike duke dëshmuar që Mr­na­viqi nuk është fare njohës i traditës së shkruar humaniste, sikurse Marin Barleti, madje as edhe i asaj “ilire”, sikurse autori i shquar Mauro Orbini, i cili në veprën e tij “Il Regni Slavi” e kon­si­deron Skënderbeun shqiptar. Përveç një kontestimi rrë­nues me një kritikë historiografike që sjell gjithë njohurinë e kohës, është interesant se Bardhi në vepër sjell edhe traditën popullore nga Pulti e Dukagjini, për të cilat territore thotë se ende nuk janë nën kontrollin otoman. Banorët e maleve shqiptare ende e mbajnë Skënderbeun për hero të tyre dhe i këndojnë këngë, duke e çmuar si “dragua të Epirit”.

Leave a Comment

Your email address will not be published.