Ligji për Paga për sektorin publik sot ka dalë në konsultim publik dhe të gjitha palët kanë mundësi që të japin mendimet e tyre deri më 6 tetor. Zyra e Kryeministrit duke publikuar të plotë dokumentin, ka nxjerr edhe koeficientët e propozuar për të gjithë punëtorët shtetërorë, ku sipas tyre është propozuar që të jetë paga.
Koeficientin më të lartë, 18, e ka Presidenti i vendit, pasuar nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese me 17.5 dhe më pastaj vinë kryeministri dhe kryetari i kuvendit me 17.
Kryetari i kryeqytetit është propozuar që ta ketë koeficientin e rrogës 15 dhe nën të vinë kryetarët e komunave të tjera.
Në gjyqësor prinë Kryetari i Gjykatës Supreme më koeficient 17. Po aq është paraparë të jetë edhe për Kryeprokurorin e Shtetit. Komandanti i FSK-së ka koeficient 15, kurse me 0.5 më pak vjen Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Mësimdhënësit në shkollat e mesme të lartë është propozuar të vlerësohen me koeficient prej 5.8.
Me projektligjin e ri të pagave do të ketë ndryshim edhe në kategorizimin e pagave të kryetarëve të komunave.
Me këtë kategorizim, kryetari i kryeqytetit do të ketë koeficient të veçantë i cili nëse “përkthehet” në vlerë monetare i bie të paguhet 1800 euro.
Rreth 250 më pak do të marrin kryetarët e Prizrenit dhe Ferizajt që menagjojnë qytete me mbi 100 mijë banorë.
Dhjetë kryetarë komunash do të marrin pagë prej 1416 eurove, pasi komunat që ata drejtojnë kanë më pak se 10 mijë banorë.
Projektligji duhet të kalojë procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike, si dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend, do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ky projektligj hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë veta.
Paga mesatare bruto për vitin 2021, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 484 euro.