Sot kur e kujtojmë këtë datë të rëndësishme për ardhmërinë tonë, kujtojmë edhe kontributin dhe sakrificën e mijëra veprimtarëve, luftëtarëve, dëshmorëve e martirëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët me rezistencën e tyre aktive, e nxitën 24 marsin dhe të gjitha ndryshmet pozitive që ndodhën në këto treva.
Dr. Skender ASANI
Fati i kombit tonë ka kaluar nëpër ngjarje të vrullshme historike, shpeshherë i shkelur dhe i nëpërkëmbur nga armiqtë e lirisë dhe demokracisë!
Ne, para se vijmë te 24 marsi i vitit 1999, ia vlen të kujtojmë edhe disa ngjarje kryesore në retrospektivë, të cilat lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë.
Në shekullin e XIX lindën projekte të mëdha hegjemoniste në Ballkan, të cilat u zyrtarizuan në konferencat e Londrës e Versajës, dhe u eliminuan pikërisht në 24 marsin e vitit 1999.
Në dekadat e para të shekullit XIX, Serbia, Greqia, e më vonë edhe Bullgaria, e fituan pavarësinë e tyre, dhe menjëherëi shprehën tendencat ekspansioniste nëpërmjet projekteve famëkeqe, siç ishin: Serbia e Madhe, Greqia e Madhe, Bullgaria e Madhe. Rusia ishte tutorja kryesore e këtyre nxitjeve, në kurriz të popujve më të vegjël.
Projekti rus u realizua me Aleancën Ballkanike. Me betejën e Kumanovës të tetorit 1912, iu dha goditja përfundimtare Perandorisë Osmane, dhe me këtë rast u krijuan Serbia e Madhe dhe Greqia e Madhe. Konferenca e Ambasadorëve në Londër i vërtetoi gjendjet faktike në teren, ndërsa Evropa në atë kohë nuk ishte e gatshme për një luftë botërore gjithë përfshirëse.Në Konferencën e Londrës, me insistimin e Austro-Hungarisë,u krijua shteti shqiptar i gjymtuar.
Në Konferencën e Versajës dominuan dy koncepte kryesore: njëri koncept ishte ai koalicionit të Antantës, të cilët ishin fitues e Luftës së Parë Botërore, dhe kërkonin territore nga shkatërrimi i Perandorisë Osmane dhe asaj Austro–Hungareze. Ndërsa,koncepti i dytë ishte ai i presidentit amerikan VudroVilson, i cili i proklamoi 14 kërkesat e njohura, që u mundësonin edhe popujve të vegjël të drejtën për vetëvendosje.Nga ky koncept i presidentit amerikan, si garancë që të fitohet kjo e drejtë, gjatë procesit u themelua Shoqata e Kombeve në Gjenevë, dhe më vonë Organizata e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Më vonë, gjatë akteve të shtetndërtimit, shumë shtete u bazuan në konceptin e Vilsonit, me çka këtë të drejtë e fitoi Shqipëria, Maqedonia, dhe në dekadën e parë të shekullit XXI, edhe Kosova.
Gjatë intervenimit të Aleancës Veriatlantike–NATO, kundër Serbisë, në vitin 1999,si argument kryesor u morë kriza humanitare, por në esencë, në mënyrë të natyrshme ishte vazhdimësia e konceptit të presidentit Vilson për vetëvendosje të popujve të vegjël. Kjo për faktin se nga projekti i shekullit XIX, që e realizonte Serbia, e kishte ngulfatur vullnetin e popujve tjerë të Ballkanit që ta ushtrojnë këtë të drejtë të natyrshme. Dhe,vetëm pas intervenimit të NATO-s dhe kapitullimit të Serbisë, popujt ballkanik filluan të frymojnë lirshëm dhe të krijojnë shtetet e tyre të pavarura.
Mali i Zi e fitoi pavarësinë e plotë dhe u anëtarësua në NATO; Kroacia u anëtarësua në NATO dhe BE; Shqipëria u anëtarësua në NATO; Kosova shpalli shtetin e pavarur, me perspektivë të qartë drejt NATO-s dhe BE-së; Republika e Maqedonisë, tanimë e Veriut, me ndryshimet e fundit kushtetuese, përfundimisht po bëhet gati të jetë anëtarja e re e NATO-s. Me këtë rreshtim të qartë të shteteve ballkanike në krahun e Aleancës më të madhe ushtarake-politike perëndimore, po krijohet një klimë e re e perspektivës tonë të përbashkët evropiane.
Të gjitha këto procese pozitive të kohës më të re në Ballkan, zor se do të mund të ndodhnin, pa intervenimin e sigurt dhe energjik të NATO-s, 20 vjet më parë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por, sot kur e kujtojmë këtë datë të rëndësishme për ardhmërinë tonë, kujtojmë edhe kontributin dhe sakrificën e mijëra veprimtarëve, luftëtarëve, dëshmorëve e martirëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët me rezistencën e tyre aktive, e nxitën 24 marsin dhe të gjitha ndryshmet pozitive që ndodhën në këto treva.
Ju faleminderit shumë!
(Fjalim me rastin e shënimit të 20 vjetorit të fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve militariste serbe)