Procesi i regjistrimit drejt fundit, numri i saktë i shqiptarëve në Luginë të Preshevës legjitimon kërkesat ndaj Serbisë

Përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës kanë bërë me dije se shqiptarët i janë përgjigjur masivisht procesit të regjistrimit, i cili ka filluar më 1 tetor.

Derisa procesi po shkon drejt fundit, ata kanë treguar se në Preshevë dhe Bujanoc regjistrimit ka shkuar në dinamikën e duhur, ndërsa në Medvegjë ka pasur pengesa të theksuara të moszbatimit të ligjit për regjistrimin e popullsisë, hkruan gazeta Nacionale.

Sipas tyre, ky proces do të tregojë se shqiptarët janë shumicë në Luginë të Preshevës.

Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi, ka thënë për gazetën Nacionale se numri i saktë do të legjitimojë dhe do të arsyetojë kërkesën e shqiptarëve për përfaqësim në institucionet publike.

Shqiptarët e Luginës janë konsideruar 1118 shqiptar dhe për aq banorë janë ofruar shërbime të ndryshme administrative, mjekësore, sociale dhe të tjera. Numri i saktë do të legjitimojë dhe do të arsyetojë kërkesën tonë për përfaqësim të shqiptarëve në institucionet publike e shtetërore në të cilat nuk ka asnjë shqiptar apo simbolikisht janë të përfshirë”, ka thënë Mustafi.

Ai ka treguar se ky regjistrim është bërë i mundshëm vetëm pas largimit të disa pengesave.

Sigurisht pasi janë larguar pengesat pas një negociate të gjatë është marrë vendim për pjesëmarrje. Formularët janë ne gjuhën shqipe, kanë lejuar instruktor e regjistrues nga komuniteti shqiptar e për ma tepër edhe asistent për gjuhen në të cilën respektohen përgjigjet. Është lejuar të regjistrohet diaspora dhe të gjithë ata që në momentin e dhënë nuk janë prezentë aty. Këto ishin të ndaluara në vitin 2011”, ka thënë Mutafi.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se shqiptarët i janë përgjigjur pozitivisht këtij procesi.

Në përgjithësi shqiptarët janë përgjigjur pozitivisht ftesës për regjistrim dhe ka pasur një angazhim tej mase të madhe. Në komunën e Preshevës kemi pasur edhe një fushatë të madhe sensibilizuese, e cila ka sjell rezultat të mira, ku përafërsisht 60 mijë shqiptarë vetëm në këtë komunë janë regjistruar”, ka thënë Arifi.

Ai ka treguar se shumë shpejtë rezultatet preliminare do ta tregojnë numrin e saktë të popullsisë shqiptare.

Deri me tani janë regjistruar 120 mijë qytetarë në Luginë të Preshevës, prej të cilëve shumica do të jenë shqiptarë, por pa pasur rezultatet preliminare unë e kam të vështirë të them se sa prej tyre janë shqiptar e sa jo”, është shprehur ai.

Ndërsa, Zëvendëskryetari i Komunës së Bujanocit, Shqiprim Musliu, ka thënë për gazetën Nacionale se shqiptarët këtë proces e kanë konsideruar si kauzë kombëtare.
Që nga fillimi procesi ka shkuar në formën më të mirë dhe të hënën do të përfundoj gjithçka. Ashtu edhe siç ishin pritshmëritë tona, shqiptarët i janë përgjigjur pozitivisht dhe masivisht procesit të regjistrimit duke e konsideruar gjithë procesin kauzë kombëtare, për faktin se në procesin e 2011-tës shqiptarët e kanë bojkotuar për shkak të procedurave burokratike dhe shtrënguese që në atë kohë dëmtonin indin kombëtar, ndërsa sot ky proces ka qenë mjaft i qasshëm dhe i ka shërbyer kauzës sonë duke regjistruar çdo person që frymon shqip në trevën më të diskriminuar në Evropë”, ka thënë Musliu.

Sipas tij, kjo frymë i ka penguar shtetit serb. “Duke parë këtë trend të regjistrimit, janë tmerruar edhe autoritetet e Beogradit zyrtar, ku edhe vet presidenti Vuçiq para dy ditëve në një deklarim e shihte me syrin e manipulimit këtë proces. Gjithsesi, ne kemi bërë punën tonë, jemi angazhuar që të regjistrojmë çdo shqiptar që ka deklaruar me vullnet të lirë autoktoninë dhe ekzistencën e tij në këtë pjesë të Kosovës joadministrative, ku të gjitha vendbanimet shqiptare mbi 95% e kanë përfunduar procesin, dhe do të presim mesin e nëntorit kur do të dalin rezultatet preliminare”, është shprehur ai.

Në Medvegjë shënohen pengesa të theksuar

Përfaqësuesit e Luginës janë ankuar për zhvillimin e procesit të regjistrimit në Komunën e Medvegjës.

Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi, ka pranuar se në këtë komunë procesi ka hasur në disa pengesa.

Presheva dhe Bujanoci është në dinamikën e ritmet e regjistrimit, përderisa sa Medvegja ka hasur në pengesa të theksuara të moszbatimit të ligjit për regjistrimin e popullsisë e madje edhe refuzimin e vendimeve të Entit të Statistikave Republikane nga se procesi është operacionalizuar përmes kryeshefave të administratave lokale. Për gjitha vërejtjet e pengesat kemi njoftuar në radhë të parë OSBE-në, BE-në, UN, Ambasadën e Britanisë, Ambasadën Amerikane dhe të gjitha vendeve perëndimore ku kemi kërkuar ndërhyrjen e tyre për të mos prishur procesin dhe mundësinë e regjistrimit të popullsisë që përfundimisht të kemi një numër të saktë e të vërtetë të shqiptarëve në Luginë”, ka thënë Mustafi.

Pengesat në Medvegjë i ka përmendur edhe i pari i Preshevës, Shqiprim Arifi.

Sipas tij, ato pengesa i ka bërë qëllimshëm Serbia.

Procesi i regjistrimit në Preshevë ka shkuar shumë mirë, edhe në Luginë të Preshevës në përgjithësi ka shkuar mirë. Por, në Medvegjë e kemi pas problematiken që regjistruesit serb kanë bërë pengesa të ndryshme formale burokratike dhe faktike në teren. Kjo është bërë për të penguar regjistrimin e shqiptarëve atje. Për këtë arsyeje kemi njoftuar OSBE-në dhe institucionet ndërkombëtar. Sepse ato pengesa i përkasin politikës së Serbisë që mos me ra në kundërshtim me numrin e të pasivizuarve në dhjetë vitet e fundit”, ka thënë Arifi.

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Serbia ka filluar më 1 tetor dhe do të përfundojë më 31 të këtij muaji.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës procesin e regjistrimit të vitit 2011 e kishin bojkotuar për shkak të disa procedurave burokratike. Kjo ka bërë që të mos dihet saktë numri i shqiptarëve.

Aat kanë marrë pjesë vetëm në regjistrimin e vitit 2002, proces ky i monitoruar OSBE-ja.

Sipas rezultateve të këtij procesi në Luginë të Preshevës kanë qenë 88.966 qytetarë të regjistruar, prej tyre 57.737 shqiptarë.

Rezultate preliminare të këtij procesi do të bëhen publike vetëm muajin e ardhshëm.

Leave a Comment

Your email address will not be published.