Propaganda femërore e agresionit rus

Të veshura me një uniformë infermiere që të kujton epokat e shkuara, si dhe me emblemën “Z” të pushtimit rus, “Motrat e Fitores” – një grup muzikor me influencues, modele, studente dhe vajza të tjera të reja nga rajoni i Luhanskut – u gjetën në Pashkë, në anën e ushtarëve rusë që duan të “rrisin moralin e tyre”.

Sipas Daily Mail, qëllimi kryesor i grupit të vajzave të reja është promovimi i propagandës ruse të luftës, ndërkohë që shumë postime në internet dhe mediat sociale ruse raportojnë se ato janë “gratë dhe të dashurat” e ushtarëve që shërbejnë në Ukrainë.

Në fotot dhe videot që po qarkullojnë në internet, anëtarët e grupit duket se u ofrojnë ushtarëve rusë ëmbëlsira dhe imazhe fetare me rastin e Pashkëve Ortodokse.

Pak ditë më parë, “Siostri Pampedi” (siç quhet grupi në rusisht) publikoi videoklipin e një kënge që kërkon “të bindë të rinjtë në Rusi se lufta është e nevojshme”, siç thekson gazeta britanike.

Mes anëtareve të grupit është Aliona Boykon, e cila ka mbi 30 mijë ndjekës në TikTok dhe Instagram. “Mesazhi i saj propagandistik për ushtarët ishte ky: Është e rëndësishme që ne të mos dorëzohemi tani, të bëhemi më të fortë pavarësisht vështirësive. Vështirësitë do të kalojnë dhe herët a vonë çdo gjë do të shkojë mirë”, shkruan Daily Mail.

Violeta Moskalenko, e cila ka 3000 ndjekës në Instagram, është një modele që mori pjesë në Javën e Modës në Luhansk.

Të tjera “infermiere” janë modelja Maria Okorokova dhe aktorja Anastasia Tsepurova.

Valeria Rusina është studente e mjekësisë dhe Sofia Varabirova është mjeke pediatre. Anastasia Migal është studente e drejtësisë dhe kampione në hedhjen e diskut. “Në gjashtë vite kam fituar 54 medalje dhe 70 tituj. Me gjithë arritjet e mia të shumta, shumë fitore ende më presin”, thotë ajo.

Leave a Comment

Your email address will not be published.