Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë ka njoftuar të mërkurën për arrestimin e shtetasit serb D.M., i cili dyshohet për krime lufte në Kosovë. Kjo është arsyeja që në Graçanicë qytetarët serbë kanë filluar të mblidhen në protestë. Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kanë shkuar në Graçanicë.
Dragisha Millenkoviq, i arrestuar të mërkurën në Graçanicë nën dyshimet se ka kryer krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, është sjellë para Gjykatës së Prishtinës. Tashmë ka filluar seanca për caktim të masës së paraburgimit ndaj Dragisha Milenkoviq.
Ndërkohë, qytetarë serbë janë mbledhur para stacionit policor në Graçanicë. Edhe pse protesta është paralajmëruar se do të fillojë në ora 11:30, qytetarët kanë filluar të mblidhen rreth 20 minuta më vonë. E pranishme në këtë ngjarje është edhe kryetarja e Komunës së Graçanicës, Ljiljana Shubariq.
“Lironi njerëzit tanë të pafajshëm”, “Ndaloni kriminalizimin e serbëve”, “Të gjithë ne jemi Dragisha Milenkoviq” e “Drejtësi popullit serb”, janë disa nga pankartat që po mbahet në duar nga protestuesit.
Policia ka njoftuar se ka zhvilluar hetime lidhur me krimet e kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998- 1999), ku përmes rrugëve hetimore-operative ka pranuar informacion për të dyshuarin mashkull kosovar serb me iniciale (D. M.) si pjesëmarrës në këto krime.
“Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”, thuhej në komunikatën e e Policisë.
Arrestimi ngjalli reagime të partive politike serbe në Kosovë dhe zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, që bënë thirrje për reagim të komunitetit ndërkombëtar.
Lista Serbe tha në një reagim se “Dragisha Milenkoviç është arrestuar në Graçanicë pa asnjë provë”, dhe se “regjimi i (kryeministrit Albin) Kurtit vazhdon gjuetinë mbi serbët para syve të komunitetit ndërkombëtar, i cili hesht dhe i jep hapësirë Kurtit për të përndjekur serbët, ndërsa EULEX-i pretendon të jetë një institut statistikor”.