Kur jeta të kalon para syve dhe ke humbur zëre se gjithçka, mendon se asgjë nuk mund të të bëjë më të lumtur, por ja që ka, ka shumë gjëra që mund të të bëjnë të lumtur përsëri, siç është liria e dheut tënd dhe dashuria për të. Një nga gratë që jo pa të drejt quhet me plotë gojën burrnesh është edhe Shote Galica, gruaja e hekurt e atdhetarit dhe luftëtarit Azem Galica. Burrë e grua, ose e thënë më mirë, dy luftëtarët e Kosovës së lirë ishin të gatshëm të jepnin gjithçka vetëm e vetëm që ta shihnin vendin e tyre të lirë. Të lirë nga “shkjau i zi” që për vite me radhë nuk e kishte lënë të qetë. Sigurisht që kjo gjë nuk do të ishte diçka që serbët kishin për ta pritur mirë, ndaj edhe kanë nxjerrë lloj e lloj teorish konspiracioni rreth figurës së Shote Galicës.
Për më tepër serbët kërkojnë që mos të këndohet më në dasmat e tyre kënga “Sote, mori Sote”, e krijuar për heroinën shqiptare Shote Galica.
Serbët e akuzojnë heroinën kosovare për kryerjen e një ‘krimi monstruoz’. Edhe pse kënga popullore “Shote mori Shote”, është një këngë gëzimi, serbët tani thonë se ajo është krijuar për shkak të një ngjarjeje të tmerrshme, në të cilën janë djegur të gjallë në zjarr gjashtë fëmijë të një bariu serb.
Në të vërtetë, sipas serbëve, kjo këngë është krijuar sipas Shote Galicës, gruas së kryengritësit dhe luftëtarit të njohur shqiptar Galica (Azem Bejta) , e cila thuhet se ka djegur gjashtë çobanët e vegjël, duke kënduar këngën “Hajde Shoto mashalla”.
Sigurisht që kjo është ruajtur në mendje ngjarja kur Shote Galica kishte kapur 6 fëmijë në bjeshkën Mokra, i kishte lidhur, kishte ndezur zjarrin dhe të gjithë i kishte hedhur në të. Dhe derisa fëmijët po digjeshin në zjarr, Shota kishte luajtur vallen e saj përreth zjarrit dhe kishte kënduar këngën: “Shote mori Shote, Shote mashalla, qysh moti dua Shote, që të vallëzoj”.
Thuhet se në vendin ku pretendohet se janë vrarë këta gjashtë fëmijë ka qenë ngritur një përmendore e cila me ardhjen e komunistëve në pushtet është shkatërruar.
Edhe pse për këtë nuk na vjen asnjë fakt historik e aq më tepër histori a legjendë, ndaj jemi edhe të predispozuar mos ta besojmë, por të besojmë se është një sajesë tjetër që bëhet në dëm të një figure që e ka luftuar aq shumë dhe me zemër gjithë jetën e saj.
Ajo që duhet të themi është se Shota nuk u paragjykua dhe u largua vetëm nga serbët, por edhe nga njerëzit e saj. Ajo u përball shumë fortë edhe me mentalitetin kosovar. Atë e quajtën herë si të përdalë e herë si acaruese. Kjo për faktin se Shota, merrte pjesë shpeshherë në kuvendin e burrave, aty ku bëhej plani i luftës dhe ku pihej duhani me llullë.
Gruaja kosovare mbante gjithmonë veshje meshkujsh dhe mbante në kokë një qeleshe të bardhë, madje ky është imazhi që mbahet mend nga njerëzit edhe sot.
Gjithmonë ajo e mbante gërshetin e saj nën kësulën e bardhë dhe pjesën tjetër e mbulonte me shall. Kjo për arsyen e thjeshtë që të mos dallohej nga të tjerët që Shota është femër, pasi në atë kohë në kuvendin e burrave nuk lejoheshin femrat.
Shote Galica sistematikisht u përball me paragjykimet e luftëtarëve kaçak. Emrin që ka, e ka fituar vetëm më gjak, duke marrë pjesë fizikisht në betejat më të rrezikshme, duke thyer kështu mendjen e çdo skeptiku. Burrnesha shqiptare quhej e përdalë sepse ajo shoqërohej gjithmonë vetëm me trimat e Azemit dhe shoqërohej rrallë me femra.
Gruaja dhe nëna shqiptare, në vend të parfumeve europiane, përdori barotin. Stolitë e saj ishin koburja dhe gjerdani me fishekë. E tillë ishte Shota dhe si e tillë vazhdoi këto rrugë pa u luhatur, edhe pas vdekjes së burrit e shokut të jetës së saj Azem Galicës.
Një nga njerëzit e saj të afërt që jeton edhe sot e kësaj dite ,është mbesa e Shotës, Qerimeja e cila mban emrin e vajzërisë së Shotës. Shota emrin e vërtetë e ka pasur Qerime, por me kalimin e kohës fillua u njoh si Shotë dhe ashtu i ngeli për gjithë jetën, por ky detaj nuk u harrua nga vëllai i saj i cili e kujton dhe i ka transmetuar të bijës dashurinë e madhe për trimërinë e hallës së saj.
Qerime Halil Radisheva e njohur si Shote Galica vdiq më 1927. Shote Galica tjetër jeton akoma dhe e ka shtëpinë në fshatin Hasan, vetëm dy kilometra në të dalë të Fushë-Krujës, në rrugën nacionale që të çon për në Durrës.
Familja e saj ka vite që është vendosur në këtë rrethinë të Fushë-Krujës, po ashtu aty afër jeton dhe i nipi i saj Halil Gashi. Shoteja, flet me një theks të këndshëm kosovar dhe na tregon se si ajo e mori emrin e heroinës së madhe të kombit tonë:
“Xhaja jem e kish lind nji vajzë. Unë e kisha emnin Qerime, e kur lindi ajo, ai ia ngjiti emnin Qerime. Mas 12 vjetëve, diq ajo, e mu ma kthyn emnin Shote, që i vike keq që diq ajo, e mu me mthirr Qerime. Azem Galicën e vranë dhe Shota, pra halla jeme, mur pushkën e me nji kalë të shalës luftoi tri vjet. Mas tri vjetve e plagosën dhe atëherë, iku baba prej Kosove dhe erdhi në Fushë-Krujë. ”
Nipi i Shote Galicës, Halil Gashi, tregon gati me detaje se çfarë kishte ndodhur me Shotën:
“Baba im ka qenë vet i gjashti vëlla dhe nji motër, Shota, Qerime, emni i vërtetë. Por mas ca kohësh e thrritshin tgjith me emnin Shote.
Gjashtë vllaznit dhe Shota, kanë lind e kanë jetu në Radishevë, rrethi i Mitrovicës. Unë kam qënë dhe e kam vizitu disa herë. Nga 1912 – 1924, baba jem, vet i gjashti vlla dhe me Shotën, në çetat e Azem Galicës, kan jetue gjithmonë në mal, tu luftu, kundër shkaut, ose serbit më mirë me thanë “ /konica