Pse u rufuzua vaksinimi i mësuesve kosovarë në Shqipëri?

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka sqaruar vendimin për të mos pranuar vaksinat kineze të dhuruara nga Shqipëria.

 

Edhe pse kishin kërkuar ndihmën e Shqipërisë për vaksinimin e mësuesve nga Kosova, autoritetet shëndetësore atje e refuzuan një ditë më parë imunizimin me vaksinën kineze, Sinovac, me pretendimin se ligjet ua ndalojnë importimin e produkteve që nuk janë regjistruar nga EMA, dhe se nga ana tjetër Kosova preferon të marrë vaksina vetëm nga shtetet që e njohin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se orientimi i Qeverisë së Kosovës është evropian dhe autoatlantik, prandaj edhe “e shohim me skepticizëm ndihmën e ofruar nga shtete që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës”.

Kurti u shpreh se duke qenë në këtë situatë edhe gjendja dhe furnizimi me vaksina është delikate. “Në parim, duhet ta kemi parasysh që Kosova nuk njihet nga disa shtete, sidomos nga dy fuqi të mëdha. Orientimi ynë është evropian dhe euroatlantik, prandaj e kemi skepticizmin dhe qëndrimin tonë karshi ndihmave të shteteve që nuk na njohin. Në këtë situatë, gjendja është më delikate”, ka thënë Kurti në konferencën e përbashkët me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Sami Uka, këshilltari politik i ministrit të Shëndetësisë në Kosovë ka bërë të ditur për Telegrafin se kjo vaksinë nuk është e licencuar nga EMA.

“Për mësuesit tanë na janë ofruar vaksina Sinovac të Kinës. Natyrisht për shkak se e njëjta nuk është e licencuar dhe aprovuar nga EMA për përdorim në Evropë, dhe e njëjta bie ndesh me ligjet tona”, ka thënë Uka.

REFUZIMI I KOSOVES

Një ditë më parë Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia konfirmoi pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës se do të vaksinojë mësuesit vetëm kur të ketë doza të vaksinave perëndimore.

Dozat e vaksinave AstraZeneca dhe Pfizer janë harxhuar, siç më ka njoftuar ministrja Manastirliu. Në Shqipëri po vazhdon vaksinimi me Sinovac, e cila është prodhuar nga Kina dhe për arsye se në Kosovë na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruar në EMA (Rregullatori Evropian i Barnave), ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit të vaksinohen. Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi. Manastirliu më ka thënë se sapo të vijnë doza të tjera të dy llojeve të vaksinës, atëherë do ta ndihmojnë Kosovën”, ka thënë sot Vitia.

Deri më tani, në Kosovë kanë ardhur vetëm 24 mijë doza të vaksinave Astra Zeneca, si pjesë e programit COVAX, ndërkaq Kurti u shpreh se masat kanë qenë të nevojshme, pasi në dy javët e fundit ka pasur rritje të rasteve të cilat kanë tejkaluar kulmin e 2 dhjetorit të vitit të kaluar.

“Pas një vendimi të rëndësishëm, siç jemi në dijeni në këta muajt e fundit kemi pasur afër gjysmë milioni testime për Covid, në dy javët e fundit kemi një trend të rritjes. Ky trendi rritjes i rasteve e ka tejkaluar edhe kulmin e dy dhjetorit të viti të kaluar. Me qëllim të minimizojmë ekspozimin ndaj virusit kemi marr masa, dhe ky vendim u votua në mënyrë unanime”, tha Kurti.

Leave a Comment

Your email address will not be published.