Duhet të ishin ditë të lumtura për tu mbajtur mend, por ajo e djeshme u kthye në tragjedi për familjen Avdia në plazhin e Potamit në Himarë. Një skaf i fuqishëm që drejtohej nga ish-shefi i Komisariatit të kësaj bashkie, Arjan Tase, përplasi vajzën 7-vjeçare të familjes duke i marrë jetën në vend. Policia e Vlorës ka marrë në pyetje mbi 20 persona dëshmitarë për ngjarjen e djeshme ku humbi jetën Jonada Avdiaj, 7 vjeçe teksa po notonte në plazhin e Potamit. Mes personave të pyetur, janë edhe familjarët e vajzës të cilët kanë treguar tmerrin që panë me sy dhe momentet e fundit të vogëlushes.
Sot është ditë zie në familjen Avdia, teksa kanë hapur dyer e mortit për t’i dhënë lamtumirën e fundit vogëlushes së tyre. Në banesën e familjes në Tiranë, ka pllakosur zia, ndërsa rreth orës 15:00 pritet që vogëlushja të prehet në banesën e fundit.
Familja Avdia ardhur në Shqipëri për pushime, pasi prej vitesh jetonin në Angli. Ata zgjodhën plazhin e Potamit në Himar për të kaluar ditët e nxehta të Gushtit, por fatkeqësia i goditi duke lënë një traumë të madhe edhe në opinionin publik.
Në dëshminë e tij, Tase ka thënë se skafi nuk ishte e tij, por ia ka marrë kushëririt të tij për përdorim dhe ka shtuar se skafi kishte defekt, e për pasojë ka marrë gaz menjëherë dhe ka bërë një rrotullim në vend dhe ka goditur vajzën 7-vjeçare për vdekje.
Ndërkohë, Tase nuk kishte patentë skafi. Ai ka qenë Shefi i Komisariatit të Himarës, por u arrestua pas një operacioni antidrogë, megjithatë, u rikthye sërish në radhët e policisë. Për ngjarjen e rëndë u shkarkua i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë nga detyra.
Kjo nuk është hera e parë gjatë këtij sezoni veror që ka pasur persona të plagosur si pasojë e mjeteve lundruese që humbin kontrollin. Manovrat e rrezikshme disa here u kanë rrezikuar jetën pushuesve, siç ka ndodhur në Jalë, ku drejtuesi i një skafi Gjergj Priftuli aksidentoi një çift pushuesish. Një tjetër rast i rëndë ndodhi në plazhin e Jonufrës, ku një 40-vjeçar duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone dëmtoi një fëmijë 7-vjeçar që ishte duke notuar në afërsi të bregut.
Rama e relativizon tragjedinë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish të mërkurën lidhur me tragjedinë e ndodhur një ditë më parë në Himarë, ku një e mitur humbi jetën e përplasur nga një gomone në breg, duke akuzuar politikën dhe median se po e përdor ngjarjen për përfitime.
Përmes një postimi në Twitter Rama thotë se ky është sezoni turistik më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë së qeverisë së tij që nga shtatori.
“Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurt, me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër! Tragjedia e djeshme ka tronditur të madh e të vogël dhe ka krijuar një ndjenjë të rëndë shqetësimi, ndërkohë që Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor”, shkruan Rama.
Një ditë më parë një 7-vjeçare humbu jetën në plazhin e Potamit, pasi u përplas për vdekje teksa ishte në breg, nga një skaf i cili drejtohej nga shtetasi Arjan Tase, ish-shef i komisariatit të Himarës.
Mbi 20 persona tregojnë në polici si u vra vogëlushja në plazh
Policia e Vlorës ka marrë në pyetje mbi 20 persona dëshmitarë për ngjarjen e djeshme ku humbi jetën Jonada Avdiaj, 7 vjeçe teksa po notonte në plazhin e Potamit. Mes personave të pyetur, janë edhe familjarët e vajzës të cilët kanë treguar tmerrin që panë me sy dhe momentet e fundit të vogëlushes.
Dëshmitarët okular të pyetur në momentet e para pas ngjarjes nga policia e Himarës dhe Vlorës kanë dhënë detaje tronditëse. Në dëshmitë në polici disa prej tyre tregojnë se skafi ka tentuar të largohet nga vendi ngjarjes por kanë qenë këta të fundit që e kanë ndaluar. Ata kanë treguar se trupi i së miturës për pak momente ka ndenjur në ujë pasi askush nuk guxonte ta nxirrte prej andej. Ka qenë një shtetas i huaj që sipas tyre e ka nxjerrë, duke e vendosur në një shezlong aty pranë për ti dhënë ndihmën e parë.
Arjan Tase në dëshminë e tij në komisariat ka pranuar autorësinë e krimit duke treguar se mjeti i pësoi një defekt. Tase ka treguar se mjetin gomone “Nëna 154” e ka marrë tek i afërmi i tij në Porto Palermo. Ka ardhur me të në Potam ku e ka ndaluar. Më pas ka tentuar të bëj xhiro familjarët e tij. Kur këta të fundit kanë hipur në gomone Tase ka ulur manjetat e gomones duke i dhënë gaz. Gjithashtu në dëshminë në komisariat ka mohuar akuzat e qytetarëve se ka kërkuar të arratisej.
Vajza e vogël ka qenë duke u larë në det me babain e saj, kur është goditur nga helikat e motorëve të gomones dhe e gjithë skena ka ndodhur para syve të të atit, i cili nuk ka bërë dot asgjë që të ndihmojë të bijën. E mitura humbi jetën në vend, ndërsa autori është vendosur në pranga. Mbi Arjan Tasen tashmë rëndojnë akuzat e vrasjes nga pakujdesia por pritet kqyrja e kamerave të sigurisë teksa, nëse vërtetohen dyshimet se ka tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes apo është konfliktuar me familjarët dhe persona të tjerë, mbi të pritet të rëndojnë edhe akuza të tjera. Rasti po hetohet nga një ekip prokurorësh.
Si i shpëtoi drejtësisë Tase, u hetua për lejimin e mbjelljes së kanabisit
Në prill të vitit 2021 Prokuroria e Vlorës do të kërkonte pezullimin nga detyra të 5 oficerëve të komisariatit të Himarë, ndër të edhe të drejtuesit të tij Arjan Tase.
Efektivi policisë, autor i tragjedisë në Himarë së bashku me 5 kolegë të tij u akuzua nga prokuroria për shpërdorim detyre.
Ata më veprimet dhe mos veprimet e tyre kishin favorizuar mbjelljen e 12 mijë bimëve kanabis në disa zona në fshatra të njësisë administrative Hore Vranisht. Policia e Himarës nuk kishte marrë asnjë masë në kontrollin e territorit duke ai bërë të lehtë punën kultivuesve të kanabisit.
Hetimi i Prokurorisë ishte i shtrirë në kohë prej 2020 ku ishin zhvilluar disa operacioni policore në këtë zonë. Vetëm në një aksion policia arriti të shkatërrojë 6790 rrënjë kanabis.
Kolegët e tjerë të Tases që u hetuan ishin Artur Veshaj, nën/komisar, përgjegjësi i krimeve pranë komisariatit të Himarës, Ilir Kadëna nën/komisar specialist për krimet në komisariatin e Himarës, Isa Jaçaj, specialist krimesh në komisariatin e Himarës, David Fakaj oficer patrulle në Himarë.
Prokuroria e Vlorës i dërgoi të pandehur në gjykata këta 5 policë së bashku me 50 persona të tjerë të cilit kishin kultivuar gjithsej 12 mijë bimë kanabis.
jithashtu policia gjatë aksioneve sekuestroi edhe 120 kilgramë kanabis. Në përfundim prokuroria e Vlorës nuk provoi dot akuzën duke pushuar hetimin për drejtuesin e komisariatit të Himarës. Kërkesa e prokurorisë është përcjellë më pas në gjykatë e cila është miratuar.
Me pastrimin e dosjen Tases i lindte e drejta të kërkonte rikthimin në polici dhe kjo ka ndodhur. Në fillim të këtij viti ai u kthye në detyre me urdhër drejtorit të policisë së shtetit.
Tase mbante detyrën e shefit të policimit në komunitet në policinë e Elbasanit.