Presidenti rus Vladimir Putin e krahasoi luftën kundër Ukrainës me pushtimet e shekullit të 18-të, të Pjetrit të Madh të Rusisë. Në komentet e lëshuara në televizionet ruse me rastin e 350-vjetorit të lindjes së Pjetrit të Madh, presidenti rus Vladimir Putin e krahasoi veten me Carin duke tërhequr një paralele midis atyre që ai i përshkroi si dy sipërmarrjet e tyre historike binjake për të rimarrë tokat ruse.
Putin foli për nevojën e vendit të tij për të “marrë përsëri” territorin dhe “mbrojtur veten” pasi vizitoi një ekspozitë në Moskë kushtuar carit dhe tërhoqi paralele midis themelimit të Shën Petersburgut nga Pjetri i Madh në vitin 1703 dhe ambicieve të Rusisë moderne.
Kur Pjetri themeloi kryeqytetin e ri, “asnjë vend evropian nuk e njohu atë si Rusi. Të gjithë e njohën atë si Suedi”, tha Putin. “Çfarë po bënte (Pjetri)? Morri mbrapsht dhe përforcoi. Kjo është ajo që ai bëri. Dhe me sa duket edhe ne gjithashtu kemi detyrën të marrim mbrapsht dhe të përforcohemi”.
Në komentet televizive në ditën e 106-të të luftës së tij në Ukrainë, ai shtoi: “Nëse shkojmë nga fakti se këto vlera themelore përbëjnë bazën e ekzistencës sonë, sigurisht që do të kemi sukses në zgjidhjen e detyrave me të cilat përballemi”.
Putin gjithashtu duket se mbështet zgjerimin e mëtejshëm territorial të Rusisë, duke thënë se është “e pamundur të ndërtohet një gardh rreth një vendi si Rusia. Dhe ne nuk kemi ndërmend ta ndërtojmë atë gardh”.
Një këshilltar i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy hodhi poshtë komentet dhe atë që ai e quajti çdo përpjekje për të legalizuar vjedhjen e tokës.
“Perëndimi duhet të tërheqë një vijë të qartë të kuqe në mënyrë që Kremlini të kuptojë çmimin e çdo hapi të ardhshëm të përgjakshëm… Ne do të çlirojmë territoret tona,” tha Mykhailo Podolyak.
Putini ka kërkuar të justifikojë pushtimin rus të Ukrainës duke pohuar se Ukraina nuk ka identitet të vërtetë kombëtar ose traditë të shtetësisë, ndërsa Moska thotë se ka vepruar për të çarmatosur dhe “denazifikuar” Ukrainën.
Në korrik 2021, Kremlini botoi një ese të gjatë nga Putin, në të cilën ai argumentonte se Rusia dhe Ukraina ishin një komb, i ndarë artificialisht.
“Testamenti politik” i Pjetrit të Madh
Në 350-vjetorin e lindjes së tij (1672-1725), si themelues i shtetit modern rus, reformatori i madh që, me çmimin e dhunës mizore, u përpoq ta modernizojë Rusinë, duke ruajtur me fanatizëm traditat, sjellim në vëmendje politikat e këtij lideri mizor.
Një vit para vdekjes, ai la një “Testament politik”, që ka qenë busulla udhërëfyëse e politikës të jashtme të Perandorisë të themeluar prej tij, në këto 350 vjet, që nga autokratët caristë, bolshhevikët e Lenin-Stalinit dhe deri te Vladimir Putini…
Janë 13 porosi (amanete) që duhet t’i mbajë parasysh çdo politikan, nga shtetet me përgjegjësi botërore si SHBA-ja, deri te vendet e vogla si Shqipëria, që nuk mbetet jashtë synimeve të politikës ruse në Ballkan.
1. Pjetri i Madh, duke zbuluar një përrua, e shndërroi atë në lumë; pasardhësit e tij duhet ta bëjnë një oqean të madh, që do të mbulojë të gjithë Europën.
2. Pasardhësit e tij duhet të jenë në gjendje lufte të përhershme me Europën dhe të përfitojnë nga çdo rast, që të hapin luftë.
3. Duhet të përfitojmë në maksimum nga zbulimet dhe mësimet që vijnë nga jashtë, gjithmonë duke ruajtur identitetin tonë.
4. Të mbjellim konflikte në Poloni.
5. Të zgjerojmë trojet tona, sa më shumë në dëm të Suedisë.
6. Të bashkohemi në lidhje martesash me princeshat gjermane.
7. Të nxisim tregtinë tonë me Anglinë.
8. Të fitojmë pa reshtur troje drejt Veriut, drejt brigjeve Balltike dhe drejt Jugut, në drejtim të Detit të Zi.
9. T’i afrohemi sa më shumë që të jetë e mundur, Konstantinopojës dhe Indisë.
10. T’u hapim luftë Turqisë dhe Persisë, me qëllim që t’i pushtojmë dhe të arrijmë në Gjirin Persik
11. Le të bëjmë Greqinë, Hungarinë, Poloninë…etj. një kolonë të pestë për Rusinë.
12. Pas marrjes në dorë të Suedisë, të Persisë, të Polonisë, të Turqisë, Rusia duhet të merret vesh për pjesëtimin e botës me Francën dhe me Austrinë. Nëse këto të fundit refuzojnë, duhet t’i përplasim njërën me tjetrën, pastaj t’i shkatërrojmë.
13. Të gjitha këto janë të mundshme. Europa duhet shkatërruar.
Shkruar në vitin 1724, në Moskë
Nënshkruar: Pjetri i Madh.