Presidenti rus Vladimir Putin ka lëshuar urdhrin për të ndaluar importet dhe eksportet e disa produkteve dhe lëndëve të para nga Rusia për vitin 2022. Lista e atyre produkteve që do të kufizohen ose ndalohen nuk është përcaktuar ende nga qeveria ruse. Media shtetërore RIA, duke cituar dekretin thekson se masat e veçanta ekonomike, synojnë të garantojnë sigurinë e Rusisë.
Qeveria do të duhet të përcaktojë listën e shteteve që do të preken nga këto vendime brenda dy ditësh. Këto kufizime nuk do të mbulojnë produktet apo lëndët e para që transportohen nga qytetarët për nevojat e tyre personale, transmeton RIA.
Urdhri i Putini vjen pasi Presidenti i SHBA-ve Joe Biden njoftoi të martën se administrata e tij ka vendosur të ndalojë importet ruse të energjisë – përfshirë naftën, gazin natyror dhe qymyrin, si kundërpërgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës.