PZAP vërteton vendimin e KQZ’së: Albin Kurtit dhe të tjerëve s’i lejohet kandidimi në zgjedhje

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë pjesërisht ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje. Gjykata Supreme është opsioni i radhës ku mund të drejtohen personat që janë kundër këtij vendimi, duke përfshirë këtu edhe kreun e VV-së, Albin Kurti.


Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) janë dorëzuar nëntë ankesa nga subjektet politike për moscertfikim të kandidatëve për deputetë.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate janë disa prej subjekteve politike që kanë dorëzuar ankesë në PZAP.
Këto ankesa u bënë pasi KQZ’ja votoi që të mos lejohen që të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit kandidatët për deputetë që kanë dënime të formës së prerë nga gjykatat, në tri vitet e fundit.

Debati më i madh është bërë pasi një prej atyre që ka dënim të formës së prerë në tri vitet e fundit është edhe bartësi i listës së Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që po ashtu është edhe i nominuar për kryeministër.

VV’ja kishte dorëzuar ankesa na PZAP, ndërsa zyrtarë të lartë të kësaj partie dhe anëtarës e VV’së në KQZ e kanë akuzuar kryetaren e KQZ’së se po merr vendime, sipas preferencave të saj politike, duke aluduar se gjykatësja është e afërt me PDK’në.

Daka ka thënë se po kërcënohet e po fyhet publikisht dhe se ka theksuar se nuk varet nga ajo se a lejohet të kandidojë Kurti dhe 46 kandidatët e tjerë, por KQZ vepron sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese në dhjetor ka publikuar aktgjykimin, me të cilin e ka shpallur të vlefshme një ankesë të VV’së dhe e ka rrezuar qeverinë e Avdullah Hotit, sepse atë e kishte votuar një deputet që kishte dënim të formës së prerë.

Kushtetuesja vendosi që të bie qeveria dhe më të mos lejohen të garojnë për deputetë kandidatët që kanë dënime.

KQZ’së i janë dorëzuar të dhënat, sipas të cilave, 47 deputetë nga të gjitha subjektet, janë të dënuar në këto tri vjet.

Disa prej subjekteve kanë pranuar, duke i zëvendësuar kandidatët, por disa të tjera, si VV’ja e Nisma kanë kundërshtuar zëshëm të bëjnë një gjë të tillë.

Ja edhe arsyetimi i  refuzimit të ankesave të partive politike, për kandidatët që janë të dënuar me vendim të plotfuqishëm.

”Përvec tjerash, PZAP vlerëson se dispozita ligjore e nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, është fuqizuar në atë masë, saqë tani një dispozitë e tillë ramngohet në normë kushtetuese apo standard kushtetues, e cila dispozitë mbizotëron në raport me të gjitha dispozitat tjera që i referohen përshtatshmërisë, apo pengesave në certfikim të kandidatëve për deputet”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Gjykata Supreme është opsioni i radhës ku mund të drejtohen personat që janë kundër këtij vendimi, duke përfshirë këtu edhe kreun e VV-së, Albin Kurti.
Kështu ka bërë të ditur, Albert Krasnisqi nga Demokracia Plus në një intersvste për Fokusin Zgjedhor.

“Në rast që ata nuk pajtohen me vendimin e PZAP atëherë mund të ankohen edhe në Gjykatën Supreme, e cila ka 72 orë për të dhënë përgjigje. Dhe gjithçka duhet të përfundoj me 31 janar të këtij viti, ku do të tregohet se kush do të certifikohet nga kandidatët dhe nga partitë politike. Në rast që këta kandidat nuk pajtohen as me Gjykatën Supreme atëherë këtë mund të drejtohen në Gjykaten Kushtetuese”, ka thënë ai.

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arianit Beqiri, ka reaguar menjëherë pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka provuar vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor, i cili nuk ia lejon pjesëmarrjen në zgjedhje pesë deputetëve të kësaj partie që kanë dënime të formës së prerë, njofton Insajderi.

Sipas Beqirit, PZAP është regjim i vjetër, por “beteja vazhdon”.

“PZAP refuzon kërkesën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Beteja vazhdon deri sa ta fitojmë luftën kundër regjimit të vjetër. Albin Kurti do të jetë kryeministër”, ka shkruar Beqiri.

Sipas vendimit të PZAP-së, jashtë listave mbesin të dënuarit me aktgjykim final në tri vitet e fundit. Në këtë listë përfshihet edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti. Te VV-ja pos tij, kandidimi i është ndaluar edhe katër kandidatëve të tjerë. Vendimi thekson se Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë.

Leave a Comment

Your email address will not be published.