Qeveria e Kosovës, ja vendimet që janë marrë sot

Qeveria e Kosovës nën drejtimin e Kryeministrit Avdullah Hoti ka zhvilluar sot (e premte)  mbledhjen e rregullt, të 43-tën me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje, vendime dhe dokumente tjera të fushave të saj të përgjegjësisë kushtetuese dhe ligjore.

Prishtinë, 13 nëntor – Në kuadër të kësaj mbledhje është miratuar vendimi për t’i proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës mendimin për nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.

Më poshtë mund të lexoni të gjitha vendimet që janë marrë në këtë mbledhje:

Me vendimin e parë të miratuar sot nga kabineti qeveritar është bërë ndryshimi dhe plotësimi i Programit Legjislativ të vitit 2020, sipas të cilit shtyhet afati i miratimit në Qeveri i Projektligjit për Partneritetin Publiko-Privat (MF), Projektligjit për Financat e Pushtetit Lokal (MF), Projektligjit për Lotarinë e Kosovës (MF), dhe Projektligjit për Borxhin Publik (MF). Ndërsa, tërhiqen nga Programi Legjislativ për vitin 2020 të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe barten për vitin 2021 Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Doganor dhe të Akcizave; Projektligji për Agjencinë e Tatimeve dhe Doganës; Projektligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat; Projektligji për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare jo Bankare; Projektligji për Tatim në të Ardhurat Personale; dhe Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka miratuar vendimin për t’i proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës mendimin për nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre. Në mendimin e Qeverisë thuhet se nisma e propozuar legjislative nuk përcakton periudhën kohore për fillimin e llogaritjes së kontributit për lirin e vendit. Gjendja e krijuar socio-ekonomike nga vështirësitë buxhetore nëpër të cilat është duke kaluar vendi ynë nga pandemia e COVID-19, dhe pasi që nuk është bërë identifikimi i burimeve të financimit për mbulimin e kostos buxhetore, Qeveria e Republikë së Kosovës rekomandon që deri në krijimin e rrethanave të reja më të favorshme buxhetore, një nismë e këtillë ligjore të mos aprovohet nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe Projektligji për aktet juridike. Ky Projektligj ka për qëllim përcaktimin e llojeve dhe të hierarkisë së akteve juridike në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Gjithashtu përcaktohen edhe parimet dhe standardet e hartimit, miratimit, korrigjimit, publikimit dhe zbatimit të akteve juridike.

Edhe Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës ka marr miratimin nga Qeveria. Ky projektligj adreson të gjeturat e Avokatit të Popullit lidhur me zbatimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës si dhe përmbushë obligimet e dala nga Strategjia Kombëtare për të drejtat pronësore për adresimin e informalitetit në shkallë të gjerë.

Është miratuar edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftimin. Ndryshimet do të përcaktojnë rregullat ligjore të lëshimit të letërnjoftimit, pajisja me letërnjoftim për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, organin kompetent, procedurën e lëshimit të letërnjoftimit si dhe përcaktimin e vlefshmërisë së tij.

Miratohet Rregullorja për metodologjinë e hartimit të vlerësimit të rrezikshmërisë, sipas së cilës do të hartohet vlerësimi i rrezikshmërisë së popullatës, të mirave materiale dhe kulturore nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera. Rregullorja përcakton bartësit dhe pjesëmarrësit e hartimit të vlerësimit si dhe procedurat për hartim dhe miratim të këtij vlerësimi.

Është ndryshuar dhe plotësuar Vendimi i Qeverisë i datës 30.04.2020 për emërimin e anëtarëve të Bordit Drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Sipas këtij ndryshimi në vend të z. Valdet Gjinovci, emërohet z. Naser Krasniqi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë-AUV.

Edhe ndryshimi dhe plotësimi i Vendimit të Qeverisë i datës 30.04.2020 për emërimin e anëtarëve të Këshillit Shkencor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, është miratuar në mbledhjen e sotme, ku në vend të z. Imer Haziri është emëruar znj. Rreze GECAJ nga Fakulteti i Bujqërisë dhe Veterinarisë -FBV.

Një vendim i veçantë ndryshimi dhe plotësimi i Vendimit të Qeverisë të datës 19.05.2020 për emërimin e anëtarëve të Këshillit Shkencor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë është miratuar nga kabineti qeveritar. Sipas këtij vendimi në vend të z. Imer Rusinovci është emëruar z. Sali Aliu nga Fakulteti i Bujqërisë dhe Veterinarisë –FBV.

Leave a Comment

Your email address will not be published.