Qeveria ndan 10 milionë euro për policët dhe mjeket, 6.5 milionë për bizneset individuale

Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e afro 10 milionë euro për zyrtarët policor dhe personelin shëndetësorë. Po ashtu Qeveria ka ndarë edhe 6.5 milionë euro për bizneset individuale. Para janë ndarë edhe për Fondin Emergjent për vërshimet që ndodhën javën e kaluar.

Qeveria e Kosovës në një mbledhje të mbajtur sot ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve shtesë për, siç thotë ajo, angazhimin e shtuar në terren të zyrtarëve policor aktiv të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj pandemisë COVID-19,

Siç bëhet e ditur është miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 1.6 milion euro.

Ndërsa me një vendim tjetër janë ndarë 8 milion euro për kompensimin e shtesave mujore mbi pagën bazë për personelin aktiv shëndetësor për muajt janar, shkurt dhe mars të vitit 2021. Sipas njoftimit, ndarja e mjeteve do të bëhet sipas kategorizimit:

– Kategoria I – mjekë, iu ndahet shtesa prej 250 euro në muaj;

– Kategoria II – infermierë, iu ndahet shtesa prej 150 euro në muaj dhe

– Kategoria III – stafi mbështetës – teknik, iu ndahet shtesa prej 100 euro në muaj.

Siç njoftohet kabineti qeveritar ka aprovuar edhe vendimin për Planifikimin dhe Zbatimin e Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike Faza II-Masa 4 – Mbështetje Financiare për Projektet dhe iniciativat që synojnë përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe ekonomi. Vendimi obligon Agjencinë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të zbatoj dhe monitoroj këtë plan.

Në fazën e dytë të këtij plani me buxhetin e akorduar në shumë 1 milion euro do të përdoret për mbështetjen e target grupeve siç janë:

  • gratë dhe vajzat që zotërojnë bizneset të vogla private, prodhuese apo shërbimesh (gastronomi, pastrim, rrobaqepësi, larje, ngjyrosje e pastrim kimik, prodhime arti dhe artizanale të trashëgimisë kulturore (punime në argjend, veshje, prodhime artistike), lulishtari, etj.
  • gratë dhe vajzat të organizuara në forma të biznesit të tilla si kooperativa, B2B (business-to-business) të cilat ndodhen në linjën e parë të zinxhirit te prodhimit dhe furnizimit me lëndë të parë të konsumatorit individual, tregtar dhe/ose atij industrial të prodhimit masiv
  • individë fizikë, të cilët ndërmarrin nisma vetëpunësimi prej të cilave punësohen dhe sigurojnë mirëqenien familjare dhe/apo të të ardhurave për përmbushjen e nevojave bazike,
  • gra dhe vajza nga grupe të caktuara shoqërore (me aftësi të kufizuara, nëna vetë ushqyese, punëtorë në tregun informal të punësimit, viktima të dhunës në familje apo viktima të dhunës seksuale të luftës, komunitete pakicë roma, ashkali, egjiptian, etj.

“Edhe vendimi për zbatimin e masës nr. 16, të për Skemat Pensionale dhe Sociale, të Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike, sipas vendimit Nr. 06/58 të datës 14.01.2021 ka marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Për këtë qëllim janë ndarë mjete ne shumën prej 21 milion euro. 7.5 milion nga këto mjete do të ndahen për dyfishimin e pagesave për ndihmë sociale ndërsa 13.5 milion për pagesën e shtesës prej 30 euro për skemat pensionale dhe sociale që marrin pagesa deri në 100 euro”, thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu Qeveria në detyrë ka marrë vendim që të ndahen 6.5 milionë euro për bizneset individuale.

Sipas njoftimit, këto mjete janë në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike.

“Miratimin nga Qeveria e ka marr vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për bizneset sipas kritereve të përcaktuara me Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 6.5 milionë eurove për subvencionimin e bizneseve aktive dhe të vetë punësuarve”, thuhet në njoftim.

Qeveria ka njoftuar se ka ndarë mjetet për Fondin Emergjent për vërshimet që ndodhën javën e kaluar.

Kujtojmë se, shumë komuna të Kosovës javën e kaluar u goditën nga vërshimet pas reshjeve të shiut dhe borës, ku si pasojë u shkaktuan shumë dëme në infrastrukturë rrugore, në kulturat bujqësore, banesa dhe shtëpi banimi.

Lidhur me vlerësimin e dëmeve, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi kishte thënë se, komunat janë duke bërë llogaritjen e tyre. Në mesin e shumë komunave që janë prekur rëndë nga vërshimet është Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Gjakova, Kamenica dhe Vushtrria.

Leave a Comment

Your email address will not be published.