Anëtarët dhe simpatizuesit e Partisë Radikale Serbe kanë sulmuar sonte fizikisht aktivistët e organizatave joqeveritare, para fillimit të promovimit të librave të liderit të radikalëve, Vojislav Sheshel, në objektin e Qytetit të Vjetër në Beograd.
Aktivistët e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), Forumi ZFD dhe Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut shkuan në promovimin e librave të Sheshelit, me qëllim për të marrë pjesë dhe të pranishmëve t’ua shpërndajnë Dosjen e FDH “Krimet ndaj kroatëve në Vojvodinë”.
Siç raporton Beta, anëtarët dhe simpatizantët e radikalëve në mënyrë të vrazhdë kanë shtyrë aktivistët, i hodhën në dysheme dhe i nxorën jashtë ambienteve komunale me fyerje e sharje, përcjell Telegrafi.
“Ne hymë në sallë, ata filluan të na hedhin, duke na shtyrë dhe sharë… E rrëzuan Natasha Kandiqin edhe mua dhe na nxorën jashtë. Nuk pamë askënd nga personeli i sigurisë komunale, as polici. Në një moment erdhi Shesheli dhe u tha të na nxjerrin jashtë”, tha Natasha Govedarica, drejtore e zyrës në Beograd të organizatës gjermane Forumi ZFD.